Lidhje

Parlamenti i Kosovës diskuton më 1 shtator kufirin me Malin e Zi


Kryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi të mërkurën që më një shtator të mbahet seanca e parlamentit, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Vendimi u mor pas një ndërprerje të mbledhjes meqë lëvizja Vetëvendosje sërish hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë. Deputeti i kësaj lëvizjeje Glauk Konjufca u shoqërua më pas në polici.

Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli kritikoi veprimet e opozitës ndërsa bëri thirrje që të mos keqpërdoret kjo çështje.

“Pushteti nuk do të cenohet dhe pavarësisht çfarëdo çmimi nuk do të mund të na dal askush drejt forcimit të shtetit. Edhe nëse mendon dikush që politikisht do të përfitojë prej çështjeve tilla siç janë demarkacioni dhe asociacioni të cilat kanë qenë dashur të na bashkojnë, politikisht e kanë gabim. Kanë shumë drejtë që të përdorin emocionet e njerëzve të cilët janë në vende të caktuara. Mallkim janë kufijtë që na kanë ndarë dhe do të jenë çdo herë mallkim. Në qoftë se kemi mend dhe duam të përgatitemi duhet me dal nga ky kurth i sistemit i cili nuk është i Kosovës dhe nuk është në interes të Kosovës, do të duhej qetë të debatohej për këtë çështje”, tha zoti Veseli.

Por, partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën i bënë thirrje sot sërish qeverisë që të tërheqë projektligjin nga votimi në parlament, pasi që sipas tyre, kjo do të tensionojë situatën në Kosovë. Ata thanë se kjo sfidë tejkalohet me zgjidhje të përbashkët politike.

“Nëse rrëzohet ky version i këtillë i ligjit krijohet një mundësi për zgjidhje politike, nëse votimi do të jetë pro do të ishte një tragjedi për Kosovën për shkak se do të fillojë një krizë dhe do të tensionohet situata në vend”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kjo çështje thjeshtë nuk është një ligj, vota e deputetëve është votë e cila përfundimisht përmbyllë një çështje sipas tyre e cila çështje pastaj do sjellë kriza dhe situata jot ë favorshme dhe të panevojshme për vendin tonë. Apeli ynë është që të gjithë së bashku ta tejkalojmë këtë krizë duke rishikuar këtë marrëveshje është moment i fundit nuk duhet ta lëshojmë”, tha kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Zhvillimet e dy ditëve të fundit në mjediset e parlamentit ku në dy raste u hodh gaz lotsjellës, nxitën reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë të saj thuhet se "është thellësisht zhgënjyese që pikërisht kur Kosova ka një mundësi të shfaqë anët e saj pozitive para botës nëpërmjet pjesëmarrjes së suksesshme në lojërat Olimpike, të shohësh rikthimin e ciklit të dhunës. Pas disa muajsh të qetësisë relative, pamë për disa ditë një sulm në ndërtesën e parlamenti, gaz lotsjellës dhe një kërcënim me bombë në shtëpinë e kryetarit të komisionit për shënimin e kufirit. Kështu nuk duket procesi demokratik dhe kjo është pamja që Kosova i tregon botës", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane, në të cilin mes tjerash bëhet thirrje për "funksionimin paqësor të të gjitha institucioneve demokratike të Kosovës".

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth kësaj marrëveshjeje si dhe asaj të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi, është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Vendimi që seanca të mbahet pas tri javësh, shihet si një përpjekje për të siguruar një pajtim ne shkallë më të gjerë rreth marrëveshjes, meqë mospajtime janë shprehur edhe në radhët e partive në pushtet. Vëzhguesit thonë se një shtytje këtij pajtimi mund t'i jap edhe vizita e nënpresidentit amerikan Joe Biden javën që vjen.​

XS
SM
MD
LG