Lidhje

Gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit të Kosovës


Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, i cili diskutoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioni debatoi projektligjin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje dhe kur po votohej për ta kaluar çështjen tek kryesia e parlamentit, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, hodhi gazin lotsjellës.

Në një njoftim të shkurtër të kësaj lëvizjeje paralajmërohet se këmbëngulja e pushtetit "që përkundër fakteve të pakontestueshme po insiston në ratifikimin e demarkacionit, do të përballet me rezistencë të fuqishme. Kosova nuk ka tokë për të falur!", thuhet në një postim në facebook të kësaj lëvizjeje.

Deputeti Çaushi është shoqëruar në polici.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë dhe këto qëndrime u përsëritën edhe sot pas një takimi që zhvilluan të premten udhëheqësit e institucioneve e partive politike me diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG