Lidhje

Rihapen debatet për privatizimin e PTK-së


Autoritetet në Kosovë, shtynë afatin për nënshkrimin e marrëveshjes për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe telekomit

Në Kosovë, autoritetet thanë se nënshkrimi i marrëveshjes për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, është shtyrë për datën 30 shtator, në funksion të mbrojtjes së interesit të vendit. Të martën ishte afati për nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë gjermane "AXOS- capital", e cila në bashkëpunim me “Najafi Companies”, nga Shtetet e Bashkuara, ishte fituese e tenderit për shitjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Privatizimi i PTK-së
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:44 0:00

Komisioni qeveritar për privatizimin e PTK-së, bëri të ditur se shtyrja pasoi refuzimin e kërkesave shtesë të fituesit, por pa shpjeguar se për çfarë kërkesa bëhet fjalë. Kompania fituese kishte kërkuar veç tjerash zbritje dhjetëra milionëshe të çmimit të privatizimit.

Në fillim të prillit të këtij viti kjo kompani ishte zotuar të paguajë shumën prej 277 milion eurosh për këtë ndërmarrje publike. Komisioni qeveritar thekson nëpërmjet një komunikate se siç thuhet, “duke marrë parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e këtij transaksioni dhënia e një afati shtesë për nënshkrim të kontratës është në interesin më të lartë të Kosovës”.

Por, ekspertët e fushës druajnë se zhvillimet rreth Postës dhe Telekomit vetëm sa mund të ndërlikojnë situatën. Kryeredaktori i revistës Ekonomia, Ibrahim Rexhepi, thotë se zvarritjet e vazhdueshme edhe para shpalljes së fituesit kishin paralajmëruar ndërlikim të vazhdueshëm. Në një bisedë me Zërin e Amerikës ai nuk përjashton mundësinë që procesi të jetë ndikuar edhe nga bisedimet për telekomunikacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ibrahim Rexhepi
Ibrahim Rexhepi
Për shkak se telefonia, kemi të bëjmë me funksionimin e një tregu unik në tërë territorin e Kosovës, e realisht kur shohim çfarë kahje po shkojnë bisedimet te energjetika dhe telekomunikacioni, atëherë edhe blerësi nuk e ka shumë të qartë se çfarë po blen, në kuptimin jo në blerjen e aseteve, por si funksionon ky treg. edhe kur nuk ka qenë në opsion licenca e tretë për një operator të ri e tash futet si një kërkesë e domosdoshme ose kërkesë bukur me kokëfortësi nga Beogradi dhe normalisht që kjo e prish lojën”, tha zoti Rexhepi.

Një mundësi të tillë nuk e përjashton as Petrit Zogaj nga lëvizja Fol.

Petrit Zogaj
Petrit Zogaj
Pa diskutim në qoftë se do të del në një diskutim të thellë procesi i privatizimit i deri tanishëm, vendimi i djeshëm atëherë mund të thuhet se ka një presion prej këtyre negociatave për privatizimin e PTK-së. Mirëpo, kjo do të duhet të sqarohej, ndoshta edhe nga vet negociatorët e nivelit teknik dhe të shihet se pse do të duhet të diskutohej kaq shumë detaje brenda një shteti që ne e kemi shpallur para pesë vite e gjysmë”, tha zoti Zogaj.

Që nga fillimi, procesi i privatizimit të PTK-së, nuk është parë me sy të mirë nga organizatat sindikale dhe një pjesë e partive opozitare, që pohojnë se në radhë të parë çmimi i shitjes është shumë i ultë, madje është thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte anulimi i plotë i procesit. Ekspertët thonë se një veprim i tillë që ndoshta do të ishte më së miri të ndodhte, megjithatë, është me rreziqe.

Nuk është e lehtë të ndodhë kjo kur dihet situata me buxhetin e Kosovës, kur dihet kërkesa dhe fuqitë shpenzuese që ka qeveria e Kosovës. Kërkesat e vazhdueshme që Fondi Monetar Ndërkombëtarë që pas privatizimit të PTK-së të fillojnë projekte të reja kryesisht në infrastrukturë dhe kur i kemi këto parasysh atëherë del shumë e qartë se qeveria e ka bukur problem që të heq dorë nga kjo shitje apo të anuloj krejt tenderin. Është edhe një problem tjetër, nëse tash është një ofertë me rreth 230 milion euro, është pikëpyetje se cila do të ishte oferta tjetër”, tha zoti Rexhepi.

Duke e marr parasysh që është kryer një pjesë e madhe e procesit ndoshta kthimi mbrapsht do të ishte një kthim i cili do të dëmtonte sigurisht idenë e privatizimit, kompaninë më së shumti dhe pa diskutim edhe mjetet që janë të zotuara”, tha zoti Zogaj.

Aktualisht PTK ka mbi një milion përdorues të telefonisë celulare dhe asaj tokësore, ndërsa ofron edhe shërbime të internetit.

Procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje u rihap në verën e vitit të kaluar pas dështimit të tij në vjeshtën e vitit 2010, me gjithë kundërshtimin e një pjese të forcave politike në opozitë dhe organizatave sindikale që vlerësojnë se privatizimi i kësaj kompanie që është më fitimprurësja në Kosovë, do të duhej të ndodhte vetëm me një pajtim në shkallë të gjerë, mungesa e të cilit vazhdon ta ndjek këtë proces.
XS
SM
MD
LG