Lidhje

Kosovë: Tridhjetedy të akuzuar për përfshirje në grupe terroriste


Autoritetet në Kosovë akuzuan 32 veta për përfshirje në rekrutim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste

Prokuroria e posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë, kundër 32 personave të dyshuar për veprat penale: “rekrutimi për terrorizëm”, “organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se 27 persona akuzohen për veprën penale: “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, dy persona akuzohen për veprën penale: “rekrutimi për terrorizëm” kurse tre persona akuzohen për veprën penale: “mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Për disa nga të akuzuarit ekziston dyshimi i bazuar se i janë bashkangjitur për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ISIS, disa të tjerë kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar grupit terrorist “ISIS”, ndërkaq disa të tjerë kanë rekrutuar njerëz për t’i dërguar në luftën e Sirisë, dhe njëkohësisht kanë mbledhur fonde për organizatat e shpallura terroriste nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 gusht të vitit 2014 Prokuroria e posaçme kishte hapur hetimet kundër 57 personave dhe të njëjtën kohë qenë arrestuar mbi 40 persona. Nga ky grup 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ndodhen në arrati.

Sipas një studimi të qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, i publikuar ditë më parë, deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar, që përbën një numër të madh në krahasim me popullatën e saj të përgjithshme. Deri tash rreth 30 veta kanë humbur jetën në ato luftëra.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG