Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për terrorizëm


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër një personi në rajonin e Gjilanit, për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas aktakuzës, "i pandehuri V.H. i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “ISIS” nga fundi i muajit qershor të vitit 2014 e deri në fund të dhjetorit të vitit 2015. I pandehuri duke shfrytëzuar rrugën ajrore përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka arritur në Turqi e pastaj nga aty në mënyrë ilegale ka kaluar kufirin për në Siri, ku dhe është bërë pjesë e organizatës terroriste ISIS, duke marre pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist të organizatës së lartëcekur në forma të ndryshme".

Me këtë, thuhet në aktakuzë, i pandehuri ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist" vepër e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës.

Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 80 sish. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Në muajin mars të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

XS
SM
MD
LG