Lidhje

Kosovë: Dënohet një shtetas serb për terrorizëm


Një gjykatë në Prishtinë e dënoi me 13 vjet heqje lirie një shtetas nga Serbia nën akuzën për veprime terroriste.

Gjykata e shpalli fajtor serbin, Slobodan Gavriç, i cili qe arrestuar në Prishtinë në dhjetor të vitit 2014, pasi që në makinën me të cilën po udhëtonte policia gjeti 12.2 kilogram mjete shpërthyese.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër shtetasit serb, që sipas saj "me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë e të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit”.

Në akuzë thuhej se “i pandehuri gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale mbi 12 kilogram që përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi”.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale: “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,

Ekspertiza e mjeteve shpërthyese është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe autoritetet e Kosovës.

Gjatë procesit gjyqësor ai nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se mjetet shpërthyese i kishte dërguar në Prishtinë për t'i shitur.

XS
SM
MD
LG