Lidhje

Kosovë: Një i akuzuar për terrorizëm


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti një aktakuzë kundër një shtetasi të Kosovës nën dyshimet për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës i pandehuri A.D. gjatë periudhës kohore nga 18 nëntori i vitit 2012 e deri më 18 maj të vitit 2013, kishte marr pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist “Jabhal Al - Nusra” në Siri.

Në aktakuzë thuhet se "i pandehuri A.D., me datë 18.11.2012 së bashku me personat B.D., A.D., A.H. dhe B.K., nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” kishin ateruar në Aeroportin “Ataturk” në Stamboll të Turqisë, dhe më pas nga aty me aeroplan kanë udhëtuar deri në qytetin “Hatay” në Turqi. Po ashtu, i pandehuri A.D., së bashku me personat B.D., A.D., A.H. dhe B.K., me një veturë Taxi kanë udhëtuar deri në qytetin “Reyhanli” pranë kufirit turko-sirian, ku kanë qëndruar disa ditë, dhe më pas me ndihmën e një personi nga Siria, përmes rrugëve ilegale, kanë depërtuar në territorin e Sirisë, në qytetin Tall Rifat.

Ndërkaq, i pandehuri A.D., është ndarë nga shokët e tij të lartcekur dhe është takuar me vëllanë e tij P.D., i cili gjendej në Siri, dhe më pas janë vendosur në një kamp ushtarak, diku afër qytetit Aleppo të Sirisë, të udhëhequr nga grupi terrorist “Al Nusra”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari "pasi kishte kryer ushtrimet fizike dhe gjuajtjet me armë të zjarrit, kishte marr pjesë drejtpërdrejtë në konflikt të armatosur në qytetin Aleppo dhe Qalamoun, ndërsa me datë 18.05.2013 ishte kthyer në Kosovë nga Aeroporti i Stambollit në Aeroportin e Prishtinës. Me këto veprime i pandehuri ka kryer vepër penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste".

Aktualisht sipas ministrisë së Brendshme, rreth 70 luftëtarë aktivë nga Kosova janë në Siri dhe Irak. Po ashtu atje janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, ndërsa 57 qytetarë të Kosovës janë deklaruar të vdekur.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

Që nga viti 2013 policia e Kosovës ka iniciuar hetime për 199 persona. Janë arrestuar 102 syresh dhe deri tash janë dënuar 34 persona.

XS
SM
MD
LG