Lidhje

Kosovë: Nga fillimi i nëntorit 19 të arrestuar nën dyshimet për planifikim terrorizmi


Nga një operacion i mëhershëm i policisë së Kosovës

Nga një operacion i mëhershëm i policisë së Kosovës

Policia e Kosovës tha të mërkurën se ka arrestuar 19 persona gjatë 12 ditëve të fundit nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon.

Policia tha se "ka arritur të parandalojë sulme terroriste të planifikuara dhe të sinkronizuara që të ndodhnin në të njëjtën kohë, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe në rajon".

Sipas policisë "persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin L. M. (Lavdrim Muahxhiri), nga i cili merrnin udhëzime në përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit". Ajo tha se ka siguruar prova të mjaftueshme se "personat e caktuar ishin në planifikim të kryerjes së akteve terroriste në Republikën e Kosovës si dhe ndaj përfaqësueses së Izraelit në futboll, tifozëve të tyre që pritej merrnin pjesë në ndeshjen futbollistike Shqipëri-Izrael".

Gjatë hetimeve policia thotë se ka kuptuar që këta persona të dyshuar kanë qenë "të ndarë në grupe të ndryshme dhe të bashkërenduar nga terroristi L. M., nga i cili kanë marrë udhëzime".

Këto grupe kanë vepruar të ndara, por që në bashkërendim me L. M. dhe R. H. (Ridvan Haqifin) të cilët gjenden në Siri përkrah ISIS-it, kanë pasur objektiva të qartë se kush dhe kur duhet të sulmohet."

Që nga data 4 nëntor e deri më 16 nëntor janë arrestuar 19 persona të dyshuar, 18 prej të cilëve shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë.

Ndaj 18 të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa njeri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt pas ndalimit prej 48 orëve.

Policia tha se gjatë operacioneve policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar një sasi armësh e municionesh dhe mjete tjera si dhe materiale dhe literaturë fetare nga autorë të njohur për ideologjinë e tyre ekstremiste.

Operacionet janë kryer në bashkërendim edhe me autoritetet në Shqipëri ku më 4 nëntor u arrestuan katër persona nën dyshimet se po përgatiteshin për një sulm terrorist gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit e cila qe parashikuar të zhvillohej në qytetin e Shkodrës. Ndeshja u zhvendos në Elbasan “për motive sigurie”, ndërsa media shqiptare tha se dyshimet ishin transmetuar nga shërbimet e fshehta izraelite.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit në burg për të katër personat e dyshuar se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, kanë propaganduar nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, se kanë mbështetur me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe se mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”.

Nga Shqipëria mendohet se janë mbi 100 persona që kanë luftuar përkrah ISIS-it, ndërsa autoritetet kanë bërë të mundur disa arrestime. Gjatë këtij viti 9 anëtarët e një celule që rekrutonte persona për t'i dërguar në Siri u dënuan me 152 vjet heqje lirie. Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë.

Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe një numër i tyre po përballet me drejtësinë.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Gjatë vitit 2016 autoritetet thanë se është shënuar rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ato luftëra, por fillimi i vjeshtës shënoi raste të reja të shkuarjes apo përpjekjeve për të shkuar në ato zona.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG