Lidhje

Kosova shton masat e sigurisë


Të hënën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të shqyrtuar situatën në vend, “duke u ndërlidhur me rrezikun real terrorist, me të cilin po ballafaqohen vendet evropiane dhe më gjerë”.

Në një njoftim të lëshuar pas takimit kryeministri Mustafa citohet të ketë thënë se terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë, duke kërkuar shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Republika e Kosovës është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunim e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit”, tha kryeministri Mustafa.

Duke iu referuar edhe përfundimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian, lidhur me hapat në luftën kundër terrorizmit, kryeministri Mustafa theksoi se institucionet përgjegjëse në Kosovë, në bashkëpunim të afërt me partnerët, do të jenë plotësisht të angazhuara për adresimin e të gjitha çështjeve, ku mund të japin ndihmesën e tyre.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, të pranishëm në mbledhje, kanë bërë të ditur se janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operacionale, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset shumetnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në mjediset tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Përfaqësuesit e organeve të rendit, theksuan edhe planet operative për mbikëqyrjen e personave apo grupeve të caktuara, shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar si dhe rritjen e shkëmbimit të informatave me partnerët, me qëllim të parandalimit të çdo lloj kërcënimi për sigurinë në vend.

Policia e Kosovës, po ashtu, u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG