Lidhje

Thaçi: Kosova do të luftojë çfarëdo forme të ekstremizmit


Kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e pëlleshme për radikalët apo ekstremistët që tentojnë të ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit dhe kombit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se Kosova nuk do të jetë tokë e pëlleshme për radikalët. Në një postim në rrjetin social Facebook, ai thekson mes tjerash se Kosova kurrë më parë nuk ka qenë më e lirë se sot dhe qytetarët e saj kurrë më herët nuk kanë qenë më të lirë të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre, duke përfshirë të drejtën e besimit.

Megjithatë, jam i brengosur se disa individë po mundohen të keqpërdorin këtë drejtë për të imponuar predikime që nuk u takojnë vlerave tona të vërteta kombëtare dhe civilizuese. Këto insistime për mbizotërim të një interpretimi mbi të tjerët kanë krijuar tensione në shoqërinë tonë sidomos gjatë viteve të fundit. Mirëpo, më lejoni të them se Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e pëlleshme për radikalët apo ekstremistët që tentojnë të na ndryshojnë synimet e qarta euroatlantike të shoqërisë, shtetit dhe kombit tonë. Urrejtja apo mosdurimi ndaj pakicave, tendenca të importohen fenomene të huaja si anti-semitizmi apo radikalizmi fetar, do të kundërshtohen me të gjitha kapacitetet e shtetit dhe të ligjit. Armiqtë e demokracisë dhe të vlerave civilizuese perëndimore, nuk do të gjejnë strehë në tokën e atdheut tonë - ky është premtimi im dhe besoj tërë lidershipit demokratik”, thekson ai.

Zoti Thaci shpreh bindjen se institucionet e Kosovës do të mbesin besnike ndaj respektimit të kushtetutës dhe do të luftojnë çdo ditë dhe në çdo vend çfarëdo forme të shfaqur të ekstremizmit. “Ky është premtimi që iu kemi dhënë edhe fëmijëve tanë - që liritë e tyre mos t'i cenojnë kurrë as armiqtë e jashtëm por as ata të brendshëm”, thuhet në postimin e tij.

Gjatë ditëve të fundit udhëheqësit e Kosovës kanë përsëritur se nuk do të lejojnë që Kosova të bëhet burim i ekstremizmit ndërsa presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka mbledhur dy herë gjatë javës së kaluar udhëheqësit e institucioneve të sigurisë për të diskutuar siç thuhet “kërcënimin nga ekstremizmi dhe radikalizmi në vend dhe masat e ndërmarra për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri të papranueshme”.

Takimet e debatet e tilla pasuan publikimin në rrjete sociale të fotografive të një shqiptari nga Kosova duke ekzekutuar me heqje koke një person diku në Irak apo në Siri.

Burimet lokale e kanë identifikuar autorin si Lavdrim Muhaxhiri nga komuna e Kaçanikut në Kosovën Juglindore.

Agjencitë e zbulimit thonë se disa qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar, ndërsa askush nuk ka numra të saktë të tyre. Një numër i tyre besohet se mund t’u jenë bashkuar formacioneve të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit.

Në pranverë, parlamenti i Kosovës miratoi në parim një projektligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG