Lidhje

Thaçi: Serbia synon ndarje dhe shkëmbim territoresh


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u tha diplomatëve në Prishtinë se, veprimet serbe në Preshevë synonin nxitje reaksionesh në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim territoresh.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një takimi me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar dhe me ambasadorët e vendeve kryesore euro perëndimore në Prishtinë, me të cilët siç thuhet në një komunikatë për opinion është diskutuar për rezultatet e takimit të fundit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel.

Kryeministri Thaci citohet të ketë thënë se “duke ruajtur karakterin unitar të sistemit doganor të Kosovës, ne themeluam fondin për zhvillimin e veriut të vendit. Të gjitha të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit”.

Ai ka shpjeguar se, përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës de Serbisë në veri.

Fondi do të drejtohet nga një bord 3 anëtarësh, një përfaqësues nga komuniteti, një nga Qeveria dhe një nga Bashkimi Evropian. Vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore merren me konsensus nga anëtarët e bordit, e në mungesë të tij, vota e përfaqësuesit të BE-së është përcaktuese”.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se në takim është diskutuar edhe “për zhbërjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe për organizimin e zgjedhjeve të lira në komunat veriore, bazuar në ligjet e Kosovës”.

Por, kryeministri Thaçi ka deklaruar se “fatkeqësisht, të gjitha këto të arritura nga dialogu kanë rënë nën hijen e zhvillimeve të ditëve të fundit, që u gjeneruan nga heqja e njëanshme e Monumentit në Preshevë. Unë jam i bindur që ky ka qenë veprim i qëllimshëm i Daçicit, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të provokuar reaksione në Kosovë”.

Ai ka nënvizuar se “përdhosja e varrezave dhe monumenteve në disa vende në Kosovë është e turpshme, e ligë, e papranueshme. Si Qeveri e kemi dënuar menjëherë këtë vandalitet dhe kemi kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë punën e tyre për të sjellë para drejtësisë kryesit e këtyre veprave të liga”.

Ai citohet t’u ketë thënë diplomatëve se, Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje dhe shkëmbim territoresh dhe veprimet në Preshevë janë pikërisht në funksion të këtij skenari.

Unë e kam thënë shumë herë, që ne nuk jemi të përgjegjshëm vetëm para vendit tonë, por edhe para rajonit. Nuk kam nevojë t’iu flas juve për pasojat katastrofike që do të prodhonte tendenca për ndryshim kufijsh në Ballkan. Andaj, edhe deklarimi juaj i shpejtë dhe i qartë për këtë çështje është i domosdoshëm”, ka theksuar ai duke shprehur besimin se “vetëm dialogu mund të shpie në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tërë rajonit”.
XS
SM
MD
LG