Lidhje

Presidenti Thaçi paralajmëron dorëheqjen nëse nuk bëhet ushtria e Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se do të jap dorëheqje dhe do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse parlamenti nuk voton ndryshimin e rolit të Forcës së Sigurisë së Kosovës duke e shndërruar atë në ushtri të saj.

Të martën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi parlamentit projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e NATO-s dhe ambasadës amerikane që u shprehën të shqetësuara me paralajmërimet për ndërrimin e mandatit të kësaj force pa ndryshime kushtetuese.

Në reagime u tha se "miratimi i i ligjit të propozuar tani do të çonte në rivlerësimin e bashkëpunimit me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmës afatgjatë për këto forca".

Tre vjet më parë, qeveria e Kosovës vendosi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura, që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Ngritja e tyre nënkuptonte miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Por, ndryshimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare dhe ato janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre.

Presidenti Thaçi ngulë këmbë për vazhdimin e procesit të miratimit të ligjit, me gjithë kundërshtimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

"Nuk ka asnjë kthim mbrapa. Së paku nga ana e ime. Unë do t’i kryejë të gjitha obligimet e mia procedurale. Një legjislacion që nuk voton ushtrinë e vendit e tij, nuk e meriton të vazhdojë. Jam i bindur se edhe qytetarët nuk do ta lejojnë. Do ta çojnë në shtëpi. Për këtë jam i sigurt. E theksoj se dorëheqja ime hynë në fuqi në atë moment që ky Kuvend të mos e votojë. Hyn në fuqi momentin e mbarimit të atij mosvotimi” tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.

Tre vjet më parë, ishte çështja e ushtrisë së Kosovës që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

As kësaj radhe vëzhguesit nuk e përjashtojnë mundësinë që historia të përsëritet.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në koalicion me Partinë Demokratike që është drejtuar deri para një viti nga presidenti Thaçi, është shprehur në favor të ngritjes së ushtrisë së Kosovës, por "në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n".

Më herët gjatë të premtes, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie shkroi në rrjetin social twiter se "Shtetet e Bashkuara besojnë që siguria e Kosovës varet nga cilësia e partneriteteve të saj. Nuk duam ta shohim Kosovën në mosmarrëveshje me partnerët kryesorë".

Kjo është hera e parë që një nismë e autoriteteve në Kosovë nxitë reagime të tilla të Shteteve të Bashkuara, roli i të cilave në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset që çuan në çlirimin e saj në vitin 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, që është njohur nga 114 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG