Lidhje

Thaçi: Mosintegrimi shton rrezikun e ndikimit të Rusisë dhe ISIS-it


Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Berlin se vonesa në integrimin e Ballkanit perëndimorë hap mundësi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe ISIS-it

Ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi u bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të përshpejtojnë procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit, ose të rrezikojnë zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe të ekstremistëve islamik.

Zoti Thaçi, kryeministri i parë i Kosovës së pavarur deri vitin e kaluar, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se shpreson për rezultate të prekshme gjatë muajve të ardhshëm, në çështjet siç është regjimi i ri i vizave nga Bashkimi Evropian.

“Kjo është koha kur Brukseli duhet të lëvizë nga retorika e fjalët e bukura për Kosovën, drejt masave konkrete”, tha zoti Thaçi të martën në Berlin, ku është takuar me ministrin e jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Kosova, një vend i varfër me rreth 1.7 milion banorë, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi i mbështetur nga Moska refuzojnë ta njohin dhe kanë bllokuar anëtarësimin e saj në organizata siç janë Kombet e Bashkuara.

Zoti Thaçi, i cili drejtoi njësitë e armatosura të shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-99 kundër trupave të Beogradit, tha se Prishtina e sheh izolimin e vazhdueshëm si një padrejtësi.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një synim i përbashkët i vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, prandaj zoti Thaçi thotë se kjo “mund të detyrojë Serbinë që të njohë realiteti e ri të Kosovës së pavarur”.

Derisa Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Kosova kërkojnë anëtarësimin në Bashkimi Evropian, Brukseli thotë se krimi i organizuar, korrupsioni dhe kufizimi i lirisë së medies, po e kufizon përparimin.

Zoti Thaçi bën thirrje për përshpejtim të procesit të anëtarësimit.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të vonojë proceset e pranimit e të zgjerimit dhe integrimit të Kosovës dhe mbarë rajonit në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO," tha ai.

Rusia ka krahasuar aneksimin nga ana e saj të rajonit ukrainas të Krimesë vitin e kaluar me mbështetjen ushtarake të NATO-s për vetëvendosjen e Kosovës në vitin 1999. Zoti Thaçi hedh poshtë krahasimet e tilla, ndërsa nënvizon se e ardhmja e Kosovës është në familjen euroatlantike.

“Çdo zvarritje në këtë proces është e rrezikshme. Ajo hap rrugën për depërtimin dhe shtimin e ndikimit të Rusisë në rrafshin politik, ekonomik dhe ushtarak. Por, po ashtu, i hap rrugën ISIS-it të depërtojë dhe të rrisë ndikimin në rajon”, tha ai.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës janë të besimit islam por me një mënyrë jetese kryesisht laike.

Policia ka arrestuar dhjetëra të dyshuar për përfshirje në luftën e grupeve siç është Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Zoti Thaçi tha se Prishtina ka arrestuar edhe imamë të dyshuar për nxitje të ekstremizmit si dhe ka ndërmarrë veprime për të dëshmuar se është anëtare e përkushtuar e “koalicionit global kundër ISIS-it”.

Ai fajësoi trafikuesit me qenie njerëzore për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që duan të migrojnë për në vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kanë shtuar thashethemet se njerëzit mund të fitojnë strehimin, me qëllim që të përfitojnë prej tyre.

Duke punuar me Gjermaninë, ku gjatë këtij viti ishte përhapur panik në medie për një "ortek" të strehim kërkuesve nga Kosova, zoti Thaçi tha se qeveria kishte frenuar valën duke informuar njerëzit se 99 për qind e kërkesave për strehim nga Kosova janë refuzuar për shkak se ata nuk kishin bazë për të pretenduar përndjekjen.

“Ajo që mund të them më bindje të plotë është se numri i njerëzve që duan të lënë Kosovën, ka rënë shumë” tha ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG