Lidhje

Intervistë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi


Kosovo, Hashim Thaci
Kosovo, Hashim Thaci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro serbe, kalon përmes Prishtinës dhe bisedimet Kosovë - Serbi janë pasqyruar në shtendosjen politike në gjithë rajonin. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi, shfaqi shpresën për tejkalimin e krizës politike në vend, ndërsa vuri theksin tek lufta kundër krimit e korrupsionit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Interviste me presidentin e Kosoves Hashim Thaci
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:22 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju u zgjodhët në këtë post në një kohë kur skena politike është duke u përballur me ndarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë. Menjëherë pas zgjedhjes u zotuat se do të punoni për tejkalimin e krizës politike. Çfarë hapash do të ndërmerrni ju për të tejkaluar këtë situatë?

Presidenti Thaçi: Unë vlerësoj se kriza tashmë është mbyllur, është e përfunduar jemi në një proces të rëndësishëm dhe dinamik si shtet në kuadër të forcimit dhe konsolidimit të institucioneve të shtetit tonë të ri, të institucioneve legjitime dhe legale. Tani kemi hyrë në një kapitull të ri, atë të procesit euro-atlantik për vendin tonë, kështu që vlerësoj që gjithë skena politike në Kosovë, të gjitha institucionet, shoqëria, mediat janë të përkushtuar që të lëvizin më shpejt më mirë dhe në mënyrë produktive drejt anëtarësimit të Kosovës edhe në NATO, drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe perspektivës së sigurt evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti President, partitë opozitare thonë se nuk ju njohin juve si president. Si do të punoni me opozitën?

Presidenti Thaçi: Unë do tu shërbej të gjithëve pa dallim partie, pa dallim ideologjie, besimi apo regjioni dhe çdo vend në botë nuk votohet 100 për qind një president nga gjithë skena politike dhe qytetarët, por çdo president pastaj edhe në vendet më demokratike u shërben të gjithë qytetarëve të vendit. Unë i kuptoj rezervat që kanë pasur më herët duke qenë unë si kryetar partisë më të madhe në vend, por unë u zotohem qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim se me përgjegjësitë e mia edhe kombëtare edhe politike, kushtetuese dhe ligjore do t'iu shërbej të gjithëve në interes të ruajtjes së unitetit të vendit, në interes të ruajtës së kohezionit qytetarë dhe respektimin e kritereve dhe përparësitë që kemi si shtet.

Zëri Amerikës: Zoti President, ditë më parë thatë se njerëzit e akuzuar për veprime kriminale nuk do të kenë vend në institucionet e Kosovës. Si do të mund të jetësohet një zotim i tillë?

Presidenti Thaçi: Në kuadër të kompetencave që unë kam si president i vendit në të ardhmen e afërt do të fillojë ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, me gjithë se është më i miri në rajon, por kemi vërejtur disa boshllëqe që janë të nevojshme të eliminohen apo disa vrima të cilat janë të nevojshme të plotësohen me disa propozime shtesë, kështu që tashmë e kemi ekipin e ekspertëve edhe vendor edhe ndërkombëtarë dhe do të ulemi të diskutojmë dhe do të propozojmë me gjithë skenën politike që në mënyrë të përshpejtuar të ndodhin ato ndryshime në mënyrë që edhe sistemi i drejtësisë të jetë më efektiv. Që ta plotësojnë njëra tjetrën edhe sistemi prokurorial edhe ai gjyqësor por edhe shtëpitë korrektuese.

Zëri i Amerikës: Zoti President, kur jemi te sistemi i drejtësisë tashmë janë hapur prapë bisedimet për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it. Si e shihni ju këtë çështje?

Presidenti Thaçi: Edhe te çështja e tranzicionit të EULEX-it, shteti i Kosovës vlerësoj se është duke ndërtuar dhe ka forcuar kapacitetet e veta të marrjes së përgjegjësive edhe në mandatin ekzekutiv në përputhshmëri me ligjet e Kosovës. Duhet të potencoj fuqishëm se EULEX-i, pavarësisht nga lëshimet, është një mision i suksesshëm në Kosovë, ka bërë një punë të mirë dhe shumë ndihmuese, ka qëndruar afër institucioneve të vendit, ka pasur përgjegjësi ekzekutive tashmë e tetë vite, por jemi në një diskutim të përafërt të arritjes së marrëveshjes për të ardhmen e punës së institucioneve ndërkombëtare në vend dhe ne kuadër të saj edhe për misionin të rendit dhe ligjit në Kosovë, por gjithmonë do të punojmë që institucionet e vendit të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe po tregojnë aftësi, kanë një kredibilitet të fuqishëm dhe betejën për rend dhe ligj duhet ta zhvillojnë institucionet e vendit, ndërsa misioni ndërkombëtar të ketë rolin këshillues dhe mbikëqyrës. Unë kam besim te njerëzit që udhëheqin drejtësinë në Kosovë që mund të bëjnë ndryshime rrënjësore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në kuadër të kësaj, unë mendoj që e gjithë skena politike do të ndihmojë në veçanti duke mos përfshirë në listat zgjedhore në të ardhmen njerëzit që kanë të kaluar inkriminuese apo që përballen me drejtësinë, pra të punojmë të gjithë edhe në nivel qendror, lokal dhe të mesëm në mënyrë që të pastrojmë sistemin institucional të Kosovës dhe në këtë drejtim jemi të vendosur që këto procese t'i shtyjmë përpara. Unë mendoj që edhe në kuadër të reformës zgjedhore që do të ndodh në të ardhmen e afërt gjithashtu skena politike do të arrijë një konsensus në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Sistemi vendor i drejtësisë vazhdimisht është kritikuar për mos efikasitet. A do të mund ta ndryshoni këtë gjendje?

Presidenti Thaçi: Unë kam besim të plotë që gjërat mund të ndryshojnë për të mirë. Ka pasur kritika dhe kanë qenë të mirëseardhura. Ne dje pranuam edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për sistemin e drejtësisë në Kosovë por edhe për të drejtat e njeriut. Ato të gjetura dhe vërejtje i kemi evidentuar dhe mbajmë shënim për të përmirësuar dhe lëvizur përpara, për të rritur efikasitetin në punë. Unë kam besim në kapacitetet e njerëzve të sistemit të drejtësisë në Kosovë gjithmonë duke rritur efektshmërinë në punë. Unë mendoj që ka një dallim të madh në mes të percepcionit sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe realitetit pozitiv që është në sistemin e drejtësisë. Lëshime dhe dobësi ka pasur dhe duhet të evitohen dhe jam i vendosur që të përkrahë këtë proces fuqishëm në kuadër të angazhimeve të mia si president i vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju përmendët raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku kritikohet Kosova për shkallë të lartë të korrupsionit. Ku po ngecë Kosova në luftë kundër korrupsionit dhe a do të vazhdoni ju mekanizmat që janë nisur nga pararendësja juaj për të ndihmuar këtë luftë?

Presidenti Thaçi: Natyrisht se do të vazhdoj së funksionuari Këshilli kundër korrupsion. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë theksin në tri çështje, e para është se dhuna prej individëve apo deputetëve të caktuar që është shtruar në parlamentin e Kosovës që ka cenuar të drejtat e njeriut, shpresoj dhe besoj që ajo dhunë është tejkaluar tanimë. Në anën tjetër është evidentuar lufta që duhet të vazhdojë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe fenomeneve tjera negative. Kam besim të fuqishëm se kjo betejë do të jetë e fuqishme, do të fitohet, nuk do të jetë e lehtë dhe është një fenomen jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. Kosova ka ndërtuar kapacitetet që të jetë e suksesshme në betejë kundër korrupsionit. Në këtë drejtim, unë besoj që do të jenë ndihmuese të gjitha mekanizmat e shoqërisë që të luftohet ky fenomen që nga nivelet e larta e deri te ato më të ulta dhe jo vetëm të ketë seleksionime apo kategorizime. Si fenomen është i rrezikshëm kudo që paraqitet. Gjithashtu është evidentuar në raportin e DASH-it edhe nevoja e avancimit të drejtave të minoriteteve dhe kategorive tjera të shoqërisë prandaj unë do të ndjek me vëmendje evidentimin e këtyre fenomeneve dhe natyrisht zbatimin në praktikë të drejtave të këtyre njerëzve që mendohen se janë të diskriminuar, por unë kam besim në vullnetin e mirë të njerëzve të Kosovës, në institucionet e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare dhe ne do t'ia dalim.

Zëri i Amerikës: Gjatë fjalimit tuaj përurues ju thatë se bisedimet me Serbinë kanë shtendosur marrëdhëniet në rajon. Por, zoti president, cilat janë përfitimet e Kosovës nga një shtendosje e tillë, kur marrëveshjet e arritura në këto bisedime kanë tensionuar vendin?

Presidenti Thaçi: Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ka pasur rezultate pozitive edhe për Kosovën, Serbinë dhe rajonin. Dhe pyetja shtrohet prej kritikeve se çfarë fitoj Kosova por në të njëjtën kohë pyetja ime shtrohet për kritikët e këtij dialogu se çka humbi Kosova. Kosova fitoi kontrollin në një pjesë të madhe të territorit të vet, organizoi zgjedhje për herë të parë për nivelin lokal dhe qendror në veriun e Mitrovicës sipas ligjeve të Kosovës. Sot kemi doganierët dhe policët e Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, pra ne integruam komunitetin serb në institucionet e vendit dhe sot e atë ditë ata janë pjesë e parlamentit dhe pjesë e qeverisë. Gjithashtu ne punuam vazhdimisht që të bëjmë instalimin e policisë së Kosovës në veri, të integrimit të komunitetit serb gjithashtu edhe tash sistemin e drejtësisë. Do të punohet maksimalisht që të zbatohen të gjitha marrëveshjet. Unë besoj fuqishëm se nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë duhet të kalojmë në fazën e pajtimit. Unë besoj në pajtimin në mes të kombeve dhe shteteve tona ndërsa sa i përket rajonit ka pasur reflektime. Ju mund të imagjinoni se nuk do të ndodhte asnjë vizitë e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd pas gjashtë dekadave të raporteve të ngrira sepse e ardhmja e relacioneve shqiptare dhe serbe kalon përmes Prishtinës. Nëse Prishtina ka raporte korrekte me Beogradin atëherë reflektohet në të gjithë rajonin kudo që jetojnë shqiptarët, ndërsa nëse ato tensione janë në mes Prishtinës dhe Beogradit reflektohen në kuptimin negativ dhe gjithashtu pastaj edhe vizita e kryeministrit të Serbisë në Tiranë, por edhe në relacionet tjera që ka Kosova të shkëlqyera me vendet tjera të rajonit.

Zëri i Amerikës: Këtë muaj Serbia mbanë zgjedhjet e saj parlamentare. A prisni ndryshime në qasjen e Beogradit pas këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe gjuhën politike që po përdoret nga politikanët serbë që ditëve të fundit kanë zhvilluar fushatë edhe në Kosovë?

Presidenti Thaçi: Është në vullnetin e qytetarëve serb se për kënd votojnë dhe kënd e zgjedhin udhëheqës të vendit. Ata janë në një proces elektoral dhe nuk është në autoritetin tonë që të përzihemi por në të njëjtën kohë as të shqetësohemi për atë se çfarë ndodh atje. Në interes të Kosovës është që të kemi edhe një Serbi me një udhëheqje me orientim euro-atlantik dhe në të njëjtën kohë edhe serbët që janë në Kosovë, ne do të respektojmë të drejtën sipas Kushtetutës dhe ligjeve për të shprehur opinionet e tyre dhe vullnetin edhe për zgjedhjet atje dhe respektojmë interesimin legjitim të Serbisë për komunitetin serb në Kosovë, ashtu si i respektojmë të drejtat e çdo shteti dhe të drejtën tonë për tu interesuar për komunitetet përkatëse në vendet tjera që janë të garantuara edhe sipas kushtetutës edhe sipas standardeve ndërkombëtare. Unë pres që dialogu të vazhdojë, pres që të vazhdojmë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe pres një dinamikë të re qoftë në negociata qoftë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Është shumë me rëndësi që edhe Kosova edhe Serbia të lëvizin sa më shpejt drejt perspektivës euro-atlantike dhe i gjithë rajoni jonë të jenë një rajon i kritereve dhe standardeve evropiane. Kosova presim që në të ardhmen pas fillimit të zbatimit të MSA-së të fitojë edhe rekomandimin për zbatimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit në territorin evropian.

Zëri i Amerikës: Si do të votojnë serbët e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Gjithçka është e përcaktuar me kushtetutë dhe ligje, do të jenë disa qendra grumbullimi të cilat do t'i mbikëqyrin institucionet e Republikës së Kosovës. Por, në kuadër të së drejtës së dyshtetësisë diçka tillë është e respektuar dhe e lejuar.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në fjalimin tuaj të inaugurimit në mesin e shtyllave të punës suaj keni përmendur luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Çfarë saktësisht do të veproni për të luftuar këtë dukuri?

Presidenti Thaçi: Edhe më herët edhe tash ne do të vazhdojmë të jemi të pa kompromis në luftë kundër fundamentalizmit islamik, kundër radikalizmit dhe kundër çdo ekstremizmi që paraqitet në Kosovë. Është me rëndësi që Kosova është vlerësuar lartë edhe prej sekretarit Kerry si udhëheqëse në rajon në luftën kundër ekstremizmit. Ne do të vazhdojmë edhe më tutje të jemi të pa kompromis dhe me të gjitha mekanizmat tonë institucional të sigurisë do të bëjmë çmos që ky fenomen të çrrënjoset nga Kosova dhe në bashkëpunim të ngushtë edhe me autoritetet rajonale por edhe me miqtë ndërkombëtarë të bashkërendohemi që ky fenomen i rrezikshëm për civilizimin të mos jetë prezentë as në Kosovë por as në vendet tjera evropiane dhe kudo në botë. Natyrisht është një sfidë. Por jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë. As Kosova si vendi më i ri në botë nuk ka qenë imune. Kemi pasur individë që kanë shkuar në Siri dhe Irak, por kemi qenë të vendosur që ata njerëz të përballen me drejtësinë dhe do të përballen edhe të tjerët që ende janë atje dhe do të jemi ta pa kompromis. Është shumë me rëndësi që në gjashtë muajt e fundit nuk ka pasur asnjë qytetarë që nga Kosova ka shkuar për të marrë pjesë në luftërat në Siri apo Irak. Është shumë e rëndësishme të theksoj se Kosova ka plotësuar zbrazësinë institucionale apo ligjore që e ka pasur më herët, por tani e kemi nxjerrë edhe ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Zëri i Amerikës: Zoti President, a rrezikohet shteti i Kosovës nga terrorizmi?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që ajo që ka ndodhur në Paris, Bruksel dhe Ankara mund të jetë rrezik për çdo vend në Evropë dhe jo vetëm në Kosovë, prandaj duhet të jemi shumë të vendosur dhe shumë syçelë dhe duhet të jemi të vëmendshëm jo vetëm me funksionimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë por edhe në kuptimin e edukimit qytetarë se diçka e tillë nuk ka të bëjë asgjë me besim apo ideologji, thjesht janë veprime të një organizate të ISIS financiaro-kriminale.

XS
SM
MD
LG