Lidhje

Thaçi: Gjykata e posaçme është fyese, por duhet të votohet në Parlament


Kryeministri Hashim Thaçi tha se gjykata është plotësisht e padrejtë dhe fyerje për shtetin e Kosovës, por Parlamenti duhet të marr vendim

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri thirrje Parlamentit të votojë themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte, ndonëse e cilëosi atë si një fyerje për Kosovën. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet mbi raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, që pretendon përfshirjen e drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Diplomatë perëndimorë në Prishtinë kanë shtuar përpjekjet për të arritur pajtueshmëri me udhëheqësit e institucioneve dhe të partive politike, për përfundimin e procesit të krijimit të gjykatës së posaçme dhe vazhdimin e mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Tashmë po pritet përgjigja që duhet t’i kthejë letrës ftesë së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Shkëmbimi i letrave do të hap rrugën për një votim në parlament për çështjen e Gjykatës, që ka ngjallur reagime të shumta të subjekteve politike në vend.

Letra e Catherine Ashton, do t’i mundësojë qeverisë së Kosovës, që së bashku me një pako ligjesh që e përcaktojnë mandatin e EULEX-it në Kosovë, ta dërgojë atë në Parlament, për t’u votuar në një seancë të jashtëzakonshme javën e ardhshme.

Kryeministri Thaçi tha të enjten se “kurdo që e procedon kryesia e Kuvendit, partitë politike do të jenë prezentë në kuvend dhe do të shqyrtohen të gjitha mundësitë që t’i japim një përgjigje adekuate dhe meritore dhe të përgjegjshme në raport me shtetin dhe interesat e qytetarëve, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. E kam theksuar edhe më herët, se mes dy opsioneve, tani ka mbetur një opsion. Edhe pse kjo çështje është plotësisht e padrejtë dhe fyerje për shtetin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës duhet ta marr vendimin”, tha kryeministri Thaçi.

Gjykata e posaçme dhe vazhdimi i mandatit të EULEX-it, ishte pjesë e bisedimeve të qeverisë së Kosovës, përgjatë disa muajve me Bashkimin Evropian, që, siç thonë zyrtarë ndërkombëtarë, do të ndihmojë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe do të trajtojë pretendimet e ngritura në raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve. Prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar.

Pretendimet e zotit Marty po hetohen që nga vitit 2011 nga një grup punues i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Williamson, raporti i të cilit me të gjeturat pritet të bëhet publik në muajin qershor.

Ndonëse, nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, miratimi i gjykatës së posaçme pritet të ndodhë në parlamentin e Kosovës, për të shmangur atë që është cilësuar si veprim më i dëmshëm për Kosovën, themelimin e gjykatës nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Votimi në parlamentin e Kosovës i ligjeve të dorëzuara nga qeveria për mandatin e EULEX-it dhe krijimin e gjykatës së posaçme, do të shënojë, sipas të gjitha gjasave edhe fundin e mandatit të këtij parlamenti. Përfaqësues politikë thonë se pas këtij votimi, parlamenti mund të vendosë menjëherë për shpërndarjen e tij, duke i hapur rrugë zgjedhjeve parlamentare, me gjasë në fund të muajit maj ose që në fillim të qershorit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG