Lidhje

Zgjedhjet në Bashkësinë Islame të Kosovës


Bashkësia Islame e Kosovës hapi procesin e zgjedhjeve të brendshme që kësaj radhe nxiti përplasje e debate.

Muaji nëntor në Kosovë është periudhë zgjedhjesh, por jo vetëm për pushtetin komunal. Aktualisht edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës ka filluar procesi i zgjedhjeve, që në muajin nëntor duhet të çojnë në zgjedhjen e myftiut të Kosovës, që është drejtuesi më i lartë i Bashkësisë Islame.



Fillimi i këtij procesi u përcoll me shumë debate që në qendër kanë kandidatët e mundshëm për këtë post. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava thotë se në Bashkësinë Islame nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme, përveç procesit të rregullt të zgjedhjeve që ndodhin çdo pesë vjet.

Naim Ternava
Naim Ternava

Ne si kryesi e Bashkësisë islame, para katër-pesë ditësh kemi shpallur zgjedhjet për anëtarë të kuvendit, që nga çdo komunë duhet të vijë nga një, i cili propozohet nga këshilli në nivel komunal dhe përmes këshillave propozohet edhe emri i myftiut, që atyre ua merr mendja, se është në gjendje të udhëheqë Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës. Ndaj, çdo gjë është brenda suazave normale dhe çdo gjë është duke u zhvilluar normalisht”, tha myftiu Tërnava..

Por, Xhabir Hamiti, i cili u shkarkua muajin e kaluar nga posti i kryetarit të Kuvendit të kësaj bashkësie, në një proces që ai e cilësoi të paligjshëm, thotë se aktualisht në Bashkësinë Islame ka një tendencë të monopolizimit të çdo gjëje brenda saj nga një grup i caktuar.
Xhabir Hamiti
Xhabir Hamiti


Deri më tash gjithë ajo që ka ndodhur në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe që po ndodhë, aty nuk ka zgjedhje, aty ka imponime. Nuk ka zgjedhje për faktin se nuk ka rregullore të zgjedhjeve, nuk ka kritere të qarta, aty emërohen njerëzit dhe dominohen njerëzit pa asnjë kriter dhe ky është problemi më i madh dhe këtu unë kam ngritur zërin qysh herëte duhet të kemi rregullore të qarta të cilat u mundësojnë çdo njërit që të jap kontributin e vet në bazë të kritereve dhe parimeve që ai ose ajo për shembull, i plotëson”, tha zoti Hamiti.

Ai thotë se ndryshimet e kushtetutës së Bashkësisë Islame janë bërë në funksion të këtij grupi dhe që t’i mundësohet edhe një mandat myftiut Tërnava. Por, ky i fundit thotë se zgjedhjet varen nga baza e jo nga vullneti i individit.

Ndërkaq, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se në Bashkësinë Islame po ndodhë një luftë për pushtet.

Behxhet Shala
Behxhet Shala



Këto zgjedhje në fakt do të duhej të ishin test i demokracisë brenda Bashkësisë Islame dhe në qoftë se ata vërtete duan thjeshtë të tregojnë një tolerancë e cila është edhe mbase vlerë kryesore e fesë, atëherë duhet thjeshtë të krijojnë për të gjithë ata nëse edhe mendojnë ndryshe”, tha zoti Shala.

Studiuesi i çështjeve të religjionit Ismail Hasani thotë se një proces normal i zgjedhjeve nuk do të duhej të shpërfaqte kundërthënie të panevojshme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Përplasjet rreth kësaj çështjeje nxitën edhe një gjuhë më të pazakonshme të diskutimit edhe rreth çështjes nëse ka apo jo vija më radikale fetare. Profesor Hasani ngulë këmbë në dialogun e brendshëm në çdo bashkësi fetare në vend.

Ismail Hasani
Ismail Hasani

Në këtë kontekst në mënyrë të domosdoshme dialogu i brendshëm është i domosdoshëm brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, që mbase do të tejkalonte situatat që diskurset e ndryshme paraqiten do të thosha jo në trajtën e kakofonisë, por me tendenca të marrjes së përmasave të radikalizmit të diskursit që nuk i bënë mirë Kosovës”, tha zoti Hasani.

Edhe myftiu Tërnava por edhe zoti Hamiti pajtohen se ka tendenca të tilla.
Është e vërtetë që ka tentativa të indoktrinimit të një pjese të rinisë ndryshe, ka tentativa të grupacioneve të ndryshme të cilat hyjnë në Kosovë dhe të cilët nuk ja dëshirojnë të mirën Kosovës, mirëpo, përmes parave, dëshirojnë që disa t’i bëjnë për vete dhe t’i qasen islamit ndryshe. Islami ka fundamenet e tij, ka Kuranin, ka Hadithin, thënien e Muhamedit a.s. dhe bazuar në këto, ne as që kemi lejuar e as që do të lejojmë. Brenda mundësive tona reale që ne i kemi që të ketë ekstremizëm, radikalizëm, terrorizëm në Kosovë”, tha myftiu Tërnava.

Ne nuk kemi nevojë që të marrim modele të huaja, nuk kemi nevojë që të punojmë me mentalitetin e dikujt tjetër. Duhet të bëjmë dallimin mes Islamit si fe dhe kulturave që vijnë nga jashtë. Pra, ne kemi një islam që e kemi kultivuar, e kultivojmë dhe duhet të kultivojmë në të ardhmen, sepse, vetëm kjo formë e mesme e interpretimit të islamit, as radikal e as ekstrem, është rruga e vetme e të ardhmes tonë dhe të vet fesë në fakt”, tha zoti Hamiti.

Por, zoti Shala mendon se elementet radikale kanë depërtuar edhe në Kosovë që nga pas lufta, por ka mbretëruar një heshtje e kushtëzuar nga pafuqia e institucioneve vendase dhe mosgatishmëria e veprimit të mekanizmave ndërkombëtarë.

Zoti Hasani thotë se projekti për Kosovën është mbështetur mbi parimet themelore të një shoqërie shumetnike, shumë konfesionale dhe shumë kulturore dhe çdo veprim që prek mbi këto parime është i dëmshëm për Kosovën. Ai shpreh shqetësimin se, siç thotë, alarmi është ndezur.

Për faktin se religjioni në faza të ndryshme të zhvillimit shoqëror, vazhdimisht ka tendenca të përdorimit të elementit të fuqisë mobilizuese, në kuptimin e mobilizimit social. Por, mobilizimi social do të ishte ne rregull por të mos tanonte me lëvizje të ndryshme politike, të cilat tashmë janë realitet dhe mendoj se nuk janë në favor të zhvillimeve të mëtejme të proceseve të demokratizimit të shoqërisë së Kosovës”, tha zoti Hasani.

Vëzhguesit nxisin bashkësitë fetare e posaçërisht Bashkësinë Islame që është me madhja në vend që të marrë rolin e saj në nxitjen e mëtejme të tolerancës në vend, që edhe më tej cilësohet si një nga vlerat më të çmueshme të Kosovës.
XS
SM
MD
LG