Lidhje

Kosova në përpjekje për t’u përballur me të kaluarën


Në Kosovë është themeluar Grupi punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, që synon mbledhjen dëshmive të viktimave të dhunës dhe luftës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha sot se marrëdhëniet aktuale me Serbinë, po e pengojnë edhe procesin e përballjes me të kaluarën të të dyja palëve si dhe procesin e ripajtimit. Ai i bëri këto komente në takimin e parë të Grupit Punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, i cili do të përbëhet nga institucionet e Kosovës, shoqëria civile dhe organizata të tjera vendase e ndërkombëtare. Grupi, i themeluar 14 vjet pas përfundimit të luftës, synon mbledhjen e informatave dhe dëshmive të viktimave të dhunës dhe luftës në Kosovë.



Formimi i këtij grupi punues është shtyrë deri në këtë kohë, kur kemi konsideruar se shoqëria jonë është e aftë për t’u ballafaquar me të kaluarën në një mënyrë ose tjetër, që të merr përsipër rehabilitimin e marrëdhënieve, të jetë e gatshme të ballafaqohet me atë, të kërkojë të vërtetën, të kërkojë riparimin e dëmeve të luftës dhe, ashtu siç e kërkon në përgjithësi edhe drejtësia penale”, tha zoti Kuçi.

Zëvendëskryeministri tha se çështjet e pazgjidhura me Serbinë, e rëndojnë tërë këtë proces, por sipas tij, ekzistojnë rrugë për tejkalimin e kësaj situate duke marrë parasysh të drejtat dhe pozitën e secilës viktimë të luftës.

Por në anën tjetër dua të them që nënshkrimi i një traktati të paqes ku do të rregulloheshin raportet Kosovë-Serbi; ku do të rregullohen raportet tona ndërshtetërore; që do të përfshinin edhe kërkimin e faljes nga Serbia; edhe kërkimin e kompensimit të dëmeve të luftës; edhe kërkimin për çështjen e personave të pagjetur dhe shumë çështje të tjera që ndërlidhen me luftën, - do ta ndihmonin në pafundësi edhe krijimin e një ambienti të mirë për t’u ballafaquar me të kaluarën”, tha zoti Kuçi.

Ndërkaq, Bekim Blakaj nga Fondi për të drejtën humanitare, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, se pas çdo lufte përballja me të kaluarën kërkon një punë të madhe deri tek një formë e ripajtimit.

Në fakt ekzistojnë shtyllat e drejtësisë tranzicionale të cilat domosdoshmërisht duhet të punohet në të në mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme, ato janë gjykimet për krimet e luftës, thënia e së vërtetës, krijimi i një kujtese kolektive në lidhje me të kaluarën dhe mekanizmat tjerë që kanë të bëjnë me reperacionin ndaj viktimave respektivisht dëmshpërblimin ose njohjen e të drejtave të viktimave në dëmshpërblim”, tha zoti Blakaj.

Ai thotë se është bërë shumë pak në këto 14 vjet pas përfundimit të luftës dhe fakti që të dyja palët kanë qëndrime krejt të ndryshme për të kaluarën.

Qeveria e Kosovës, pret që procesi të mbështetet edhe nga bisedimet aktuale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe rreth 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe 14 vjet më prapa nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 700 qytetarëve të saj, pjesa më madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtarë shqiptare.
XS
SM
MD
LG