Lidhje

Kosova fillon javën e tolerancës dhe pajtimit

  • Leonat Shehu

Në Muzeun e Kosovës, sot u vendos Guri për Paqe, një gjest simbolik i përcjellë nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në gjithë botën.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha sot se toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa ndërmjet qytetarëve, është vlera mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës, që është shndërruar në faktor paqeje e qëndrueshmërie në rajon e më gjerë.

Ajo i bëri këto komente gjatë ceremonisë së vendosjes së “Gurit për Paqe” në Muzeun e Kosovës, një nga veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë kësaj jave në kuadër të javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë.

“Guri për Paqe” është një gjest simbolik i përcjellë nga njerëzit e Hiroshimës së Japonisë në gjithë botën.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova synon një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.

Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se sa e shtrenjtë dhe e vlefshme është liria, sa domethënëse është paqja dhe sa i dhimbshëm por edhe sa i nevojshëm është pajtimi, sepse edhe sot, 14 vjet pas çlirimit, e kemi të pambyllur plagën për të ditur fatin e të pagjeturve, krahas viktimave dhe pasojave shumë të rënda që shkaktoi lufta”, tha presidentja Jahjaga.

Ambasadori i Japonisë në Vjenë, që mbulon edhe Kosovën, Shigeo Iwatani tha se paqja është detyra më e vështirë në këtë rajon të Evropës, por shumë e vështirë është edhe në Azinë lindore kur edhe më tej ajo është e kërcënuar nga rreziqe të shumta. Ai tha se Lufta e dytë botërore ishte përvojë e tmerrshme.

Duke u nisur nga ajo përvojë e trishtueshme, ne po bëjmë përpjekje të shumta që kurrë të mos përsëritet një tmerr i tillë në të ardhmen”, tha ambasadori Iwatani.

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, vuri theksin tek mbështetja që i dha Japonia rindërtimit të Kosovës që doli nga një luftë shkatërrimtare.

Guri i Paqes do të jetë një simbol i rëndësishëm për qytetarët tanë, simbol i cili përkujton një tragjedi që pësuan qytetarët e Hiroshimës në gjysmë shekullin e kaluar, por Guri i Paqes është po ashtu simbol universal i cili thërret për paqe, miqësi dhe solidaritet për çfarë konsideroj që kemi nevojë të gjithë ne”, tha zoti Mustafa.

Autoritetet në Kosovë tha se presin mbi 300 mysafirë nga rreth 50 vende të botës të jenë pjesë e veprimtarive të javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, gjatë së cilës do të bëhet edhe përurimi i një monumenti kushtuar Holokaustit, do të mbahet takimi i dhjetë jubilar i Grupit të Mëngjesit të Lutjeve në Evropën Juglindore dhe një konferencë ndërfetare.
XS
SM
MD
LG