Lidhje

Kosovë: Trepça – zemëron Beogradin


Beogradi reagoi ashpër pas paralajmërimeve se autoritetet e Kosovës do të shndërrojnë kompleksin e minierave Trepça në ndërmarrje publike.

Qeveria e Serbisë reagoi me zemërim pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të miratuar projektligjin që i ndërron pronësinë e kompleksit të minierave “Trepça”.

Kompleksi ndodhet në Mitrovicë dhe i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe.

Deri tash ai administrohej nga Agjencia e Privatizimit, por përfshirja e saj në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Qeveria e Kosovës vendosi që të hartojë një projektligj për ta shndërruar atë në ndërmarrje publike, pasi që Gjykata e lartë e Kosovës vendosi që “Trepça” të hyjë në procesin e likuidimit nga data dy shkurt.

Të hënën pritet që parlamenti i Kosovës të miratojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për këtë çështje.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kjo do të ishte “goditje serioze për bisedimet e Brukselit”.

Ai tha se Serbia disa herë ka ngulur këmbë që në kuadër të bisedimeve me Kosovën të hapet edhe çështja e pronës në Kosovë, por kjo, tha ai, nuk ka ndodhur. Ai tha se çështja e Trepçës për Serbinë është shumë e rëndësishme dhe ajo do të bëjë gjithë çfarë është e mundur që të pengojë synimet e qeverisë së Kosovës.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, dikur ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë.

Përfundimi i luftës e gjeti atë në situatë të vështirë dhe aktualisht ajo merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut.

XS
SM
MD
LG