Lidhje

Miratohet gjykata e posaçme për krime lufte në Kosovë


Me 89 vota për, 22 kundër dhe dy të paanshme, Parlamenti i Kosovës, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme për krimet e luftës dhe vendosi të zgjasë edhe për dy vjet të tjera mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin ligjit.
Miratohet gjykata e posaçme
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:33 0:00


Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se “kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës për të themeluar këtë gjykatë, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë së saj”.
UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe ka respektuar normat ndërkombëtare. Pikërisht për këtë shkak Kosova u ndihmua nga aleatët ndërkombëtarë dhe e fitoi luftën çlirimtare”, tha kryeministri Thaçi, duke nënvizuar se themelimi i gjykatës “është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndojë në ndërgjegjen tonë derisa të jemi gjallë.

Por ndërgjegjja e jonë do të mbetet e njollosur në rast se ne nuk i japim përgjigje adekuate kërkesës së BE-së dhe SHBA-së për themelimin e Gjykatës Speciale për të trajtuar pretendimet e ngritura të Raportit të Dick Martit i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010
”, tha ai.

Por, ai tha se themelimi i gjykatës është i pashmangshëm. “Sot nuk kemi dy opsione. Kemi vetëm një opsion. E ky është vazhdimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe BE-në, që nënkupton se duhet të themelojmë këtë gjykatë”, është shprehur Thaçi.

Çdo opsion tjetër tha ai nuk duhet të shqyrtohet sepse “dështimi i themelimit të kësaj gjykate në Parlament do t’i mundësonte Këshillit të Sigurimit që të miratonte këtë institucion nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara”.

Edhe përfaqësuesit e partive tjera politike mbështetën themelimin e gjykatës me gjithë mospajtimin e tyre, ndërsa prerazi kundër është shprehur lëvizja Vetëvendosje.

Gjykata, hollësitë e veprimit të së cilës ende nuk janë të qarta, do të veprojë në kuadër të ligjeve të Kosovës, por pjesa më e madhe e punës së saj do të kryhet jashtë Kosovës, me gjasë në Holandë, ndërsa prokurorët dhe gjykatësit do të jenë ndërkombëtar. Kjo, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, do të ndihmojë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Pretendimet e zotit Marty po hetohen që nga viti 2011 nga një grup punues i kryesuar nga prokurori amerikan Clint Wlliamson, raporti i të cilit me të gjeturat pritet të bëhet publik në muajin qershor.

Ambasada amerikane në Prishtinë, vlerësoi se “kjo gjykatë është thelbësore për të hequr akuzat nga të pafajshmit, për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, dhe për të zgjidhur përfundimisht pohimet e raportit të Këshillit të Evropës”.
“Ne vlerësojmë vendimin e atyre deputetëve të cilët vërtetuan përkushtimin e tyre për themelimin e një gjykate sipas ligjit të Kosovës dhe e cila do të përqendrohet në individët dhe në veprimet individuale. Votimi i sotëm shtron rrugën për një proces të cilin bashkësia ndërkombëtare do ta shohë si të besueshëm dhe që do të ndihmojë në mbylljen e këtij kapitulli të vështirë të historisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën gjersa Kosova vazhdon të ec para me këtë detyrë thelbësore”.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Parlamentit të Kosovës. Ajo vlerësoi nëpërmjet një komunikate përkushtimin e qeverisë dhe deputetëve të Parlamentit për drejtësi, “të demonstruar nëpërmjet asaj që ne e kuptojmë se është vendim i vështirë dhe i ndjeshëm”.

Sipas saj vendimi i sotëm do ta forcoj sundimin e ligjit dhe do të përmirësojë besimin dhe imazhin ndërkombëtar.

Duke e marrë një vendim të tillë, udhëheqësit e Kosovës kanë zgjedhur një të ardhme më të mirë evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë partner i fuqishëm për Kosovën në rrugën e saj evropiane”, thuhet në reagimin e zonjës Ashton.
XS
SM
MD
LG