Lidhje

Kosova anëtarësohet në UEFA


Kosova është nga sot anëtarja e 55-të e Federatës Evropiane të Futbollit. Pranimi në UEFA i hap rrugën Kosovës të bëhet anëtare edhe e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit pas dhjetë ditësh.

Njëzetetetë vende anëtare votuan në favor të Kosovës, ndërsa 24 syresh ishin kundër anëtarësimit të saj në UEFA.

Përfaqësues institucionesh të Kosovës e vlerësuan ditën e sotme me rëndësi historike.

"Po hyjmë në një histori të re, ku njerëzit tanë, sportistët tanë do ta shkruajnë historinë e sportit evropian dhe të sportit botëror”, tha pak pas votimit në Kongresin e UEFA-s në Budapest, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha se dita e sotme është arritur me shumë mund.

"Është parë edhe në mbledhjen e sotme se sa vështirë ka qenë. Ka pasur shumë obstruksione të armiqve tanë sportivë. Është një fitore e madhe e të gjithëve. Duhet të jemi krenarë që kemi arritur këtë fitore kundër disa kundërshtarëve që nuk janë të lehtë”, tha zoti Vokrri.

Pas vendimit të sotëm, Kosovës do të mund t’i mundësohet anëtarësimi i plotë në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA, në takimin e radhës që do të mbahet në Mexico City, me 12 dhe 13 maj.

Nga sot e tutje ekipet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin pjesë në garat e UEFA-s, ndërsa nëse edhe FIFA e pranon atë si anëtare të plotë, atëherë ekipi i saj kombëtar mund edhe të pranohet në kualifikimet për Kupën e Botës në vitin 2018. Shorti për këtë është hedhur në Rusi në muajin korrik të vitit të kaluar, por Kosova potencialisht mund të shtohet në një nga grupet e Evropës.

FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Megjithatë ajo vendosi kufizime duke i ndaluar Kosovës që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave. Po ashtu klubeve të Kosovës u është ndaluar të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve.

Pranimi i sotëm u bë mes debatesh rreth statutit të UEFA-s, një nen i të cilit thekson se anëtarët e saj duhet të jenë edhe anëtare të Kombeve të Bashkuara. Statuti nuk ndryshoi, ndërsa këshilltarët ligjor tw UEFA-s, thanë se kjo nuk e pengon Kosovën

Përfaqësuesi ligjor i UEFA-s, Alasdair Bell, tha se "Kombet e Bashkuara nuk kanë përgjegjësi që të njohin shtete. Shtete njohin shtete, pavarësisht në se janë anëtare të OKB-së apo jo. Fakti që nuk jeni anëtar i OBK-së, nuk do të thotë se jeni apo nuk jeni shtet", tha ai, duke ju përgjigjur kundërshtimeve të kryetarit të Federatës serbe të futbollit, Tomislav Karaxhi, i cili tha se "politika po ndërhynë në sport në rastin e Kosovës".

Kryetari i Federatës Shqiptare të Fubollit Armando Duka tha me shaka se edhe kundërshtarët kishin vlerë në ditën e sotme.

Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, ndonëse është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG