Lidhje

Kosovë, romët dhe kompensimi


Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut në Kosovë tha se Kombet e Bashkuara duhet të kompensojnë pjesëtarët e komunitetit rom që kishin qëndruar në një zonë të kontaminuar në veriun e Kosovës pas luftës së vitit 1999.

Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, është një mekanizëm që shqyrton ankesat për shkeljet e pohuara të të drejtave të njeriut që janë kryer nga apo i atribuohen Misionit të Kombeve të Bashkuara, dhe i miraton propozimet për shefin e UNMIK-ut kur një gjë e tillë është e nevojshme.

Në një vendim të këtij paneli të publikuar të premten, thuhet se "Kombet e Bashkuara duhet të kërkojnë ndjesë publike dhe të ofrojnë kompensim për dëmtimet materiale e morale".

Vendimi ishte përgjigje në ankesën e 138 pjesëtarëve të komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptase, që kishin qëndruar në kampet e administruara nga UNMIK-u në veriun e Kosovës.

Afërsisht 600 pjesëtarë të këtyre komuniteteve kishin qëndruar në kampet në Zhikoc, Çeshminlug, e Osterode në veri, afër kombinatit metalurgjik Trepça, përkatësisht në zona të ndotura me mbetje industriale.

Kampet janë braktisur përfundimisht në vitin 2010 dhe banorët janë vendosur në zona tjera, pjesa më e madhe në pjesën jugore te Mitrovicës, të banuar me shumicë shqiptare.

Analizat e kryera nga zyra e Komisionit Evropian dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për zhvillim ndërkombëtarë në dhjetor të vitit 2010 tek 78 fëmijë të këtyre komuniteteve dëshmuan për rënien e shkallës së pranisë së plumbit në gjak pas largimit nga kampet e improvizuara në veri.

Publikimi i vendimit të panelit këshillëdhënës për te drejtat e njeriut, ndodhi në ditën ndërkombëtare të Romëve. Përfaqësuesit e këtij komuniteti në Kosovë thonë se shkalla e lartë e varfërisë dhe mungesa e arsimit të përshtatshëm, janë disa nga sfidat me të cilat përballet ky komunitet.

Përfaqësues të organizatave humanitare thonë se komunitetet rome, ashkali dhe egjiptase mbeten komunitetet më të diskriminuara edhe në Kosovë. Ata bëjnë thirrje për më shumë angazhim në përmirësimin e kushteve të jetesës për këto komunitete që janë integruar në sistemin politik të vendit, por ende të drejtat e tyre janë shpeshherë të cunguara.

XS
SM
MD
LG