Lidhje

Këshilli i Sigurimit i OKB-së debaton sonte për Kosovën


Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së bëhet thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, është shprehur i shqetësuar për shkak të bllokadës së zgjatur politike në Kosovë dhe ndikimin e tij të mundshëm negativ në përparimin e arritur deri tash në forcimin e institucioneve demokratike. Shqetësimet e tij janë pjesë e raportit për gjendjen në Kosovë që do të debatohet sonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në raport, ai u bënë thirrje partive politike të Kosovës dhe posaçërisht udhëheqësve të tyre “që të shtojnë përpjekjet për zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të suksesshme të 8 qershorit dhe të sigurojnë tejkalimin e bllokadës”.

Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjashtë muaj më parë dhe ende nuk ka arritur të formojë institucionet e reja. Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike arritën një marrëveshje për bashkëqeverisje më 19 nëntor, ndërsa për datën tetë dhjetor kanë paralajmëruar mbledhjen e parlamentit që do të hapte rrugën edhe për formimin e qeverisë së re.

Sekretari Ban, e vlerëson shumë të rëndësishëm përmbylljen e procesit të ndërtimit të institucioneve që do të përballen me shumë çështje të ngutshme që ndikojnë në të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ky brez u udhëheqësve politikë, duhet të vazhdojë procesin historik të normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, të pajtohet me të kaluarën, të shfrytëzojë mundësitë që krijohen me procesin e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian dhe të vazhdojë reformat që mundësojnë zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së Kosovës”.

Në debatin e sontëm do të marrin pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç.

Sekretari Ban përgëzon autoritetet e Kosovës dhe Serbisë për siç thuhet, përparimin drejt ardhmërisë evropiane, duke bërë thirrje për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në raport, sekretari Ban vlerëson edhe punën e policisë dhe mekanizmave të sigurisë së Kosovës në qasjen e tyre ndaj dhunës ekstremiste, për të penguar pjesëmarrjen në konfliktet e huaja. “Gjithashtu dëshiroj të përgëzojë udhëheqjen e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe udhëheqësit tjerë fetarë dhe sekular, për distancimin e tyre dhe të komuniteteve të tyre nga ekstremizmi”, thuhet mes tjerash në raportin e sekretarit të përgjithshëm.

XS
SM
MD
LG