Lidhje

UNDP: Qytetarët e Kosovës të pakënaqur me institucionet

  • Leonat Shehu

Në anketë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, nxori në pah se qytetarët e Kosovës janë të pakënaqur me drejtimin politik të vendit

Një anketim i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nxjerr në pah se rreth 18 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të kënaqur me punën e qeverisë, parlamentit dhe gjyqësorit.

Këto të dhëna janë pjesë e një studimi të këtij programi me emrin Pulsi Publik që është bazuar në një anketë të zhvilluar me rreth 1 mijë e 300 qytetarë të Kosovës, duke përfshirë të gjitha komunat e saj.

Atdhe Hetemi nga ky program, tha se qytetarët kanë shprehur pakënaqësi të madhe me punën e institucioneve kryesore të Kosovës dhe kjo pakënaqësi sipas tij është më e ulta që nga viti 2007.

“Shumica e qytetarëve të Kosovës, apo 74 për qind prej tyre kanë deklaruar që janë të pakënaqur me punën e kryeministrit, 76 për qind kanë deklaruar se janë të pakënaqur me punën e qeverisë së Kosovës, 66 për qind kanë deklaruar se janë të pakënaqur me punën e kryetarit të parlamentit. Rënie ka shënuar edhe puna e parlamentit ku 71 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se janë të pakënaqur’, tha zoti Hetemi.

Në anketë thuhet se rënie ka shënuar drejtimi politik të cilën po e ndjekë Kosova, ku 68 për qind e qytetarëve janë shprehur të kënaqur. Rritje ndërkaq sipas anketës ka shënuar gatishmëria për të protestuar për arsye politike.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë pakënaqësinë më të madhe me gjyqësorin, ku vetëm 3 për qind e tyre sipas anketës kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e këtij sektori.

Anketimi i cili në radhë të parë synon të pasqyrojë opinionet e qytetarëve për situatën në vend, nxjerr në pah se tri problemet kryesore sipas tyre janë papunësia, varfëria dhe korrupsioni. Edhe kësaj radhe spitalet kanë zënë vendin e parë sa i përket korrupsionit pasuar nga gjykatat dhe kompania shpërndarëse e energjisë elektrike.

Në anketë qytetarët e Kosovës janë pyetur edhe lidhur me rëndësinë e formimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë krimet e kryera gjatë viteve të 90-ta, ku rreth 61 për qind e tyre e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme.

XS
SM
MD
LG