Lidhje

Kosova në rendin e ditës së UNESCO-s


Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s përfshiu në rendin e ditës së mbledhjes së tij kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të OKB-së

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, do ta ketë në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë më 21 tetor. Kështu është vendosur të hënën nga Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s i cili krahas miratimit të rendit të ditës miratoi edhe projekt rezolutën për rekomandimin pozitiv për pranimin e Kosovës si anëtare më të re të UNESCO-s.

Këshilli ekzekutiv i UNESCO-s ka 58 anëtarë, prej të cilëve 32 e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërkohë që dhjetëra prej tyre edhe më parë e kanë mbështetur kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Vendimi në Këshillin ekzekutiv të UNESCO-s merret me shumicë votash, ndërkaq në qoftë se propozimi pranohet, atëherë vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës do të merret në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur zyrtarisht Shqipëria, ndërsa është mbështetur nga 45 vende.

Beogradi kundërshton mundësinë e pranimit të Kosovës në këtë agjenci të Kombeve të Bashkuara. Para takimit të këshillit ekzekutiv të UNESCO-s, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u kishte dërguar letër vendeve anëtare në të cilën thekson se "kërkesa e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, është e pabazë nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, politike e morale dhe për këtë shkak, për Serbinë është e papranueshme".

XS
SM
MD
LG