Lidhje

Përplasje para Universitetit të Prishtinës


Dhjetëra protestues dhe policë janë lënduar gjatë përleshjeve po përshkojnë protestat në të cilat po kërkohet shkarkimi i rektorit të këtij Universiteti. Tridhjetetre veta janë arrestuar

Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë grupe studentësh dhe pjesëtarësh të organizatave joqeveritare, që po protestojnë në hyrje të rektoratit të Universitetit Publik të Prishtinës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të rektorit të këtij Universiteti, Ibrahim Gashi.

Protestuesit hodhën gjësende të forta mbi pjesëtarët e policisë që penguan përpjekjet për të hyrë brenda oborrit të godinës së rektoratit. Policia tha se janë arrestuar 33 protestues gjatë përleshjeve ndërsa 29 policë janë lënduar. Korrespondentët thonë se një numër i konsiderueshëm i protestuesve janë lënduar gjithashtu gjatë përleshjeve.
Protesta në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Që nga java e kaluar grupe studentësh janë hedhur në protesta duke kërkuar hetimin e siç thuhet keqpërdorimeve në këtë universitet, vërtetimin e gradave shkencore të mësimdhënësve dhe largimin e ndikimeve politike në këtë institucion. Reagimet u shtuan pas raportimeve në mediet lokale se një pjesë e punimeve shkencore që rektorit Gashi i janë njohur si mbështetje për gradimin e tij akademik, janë të botuara në një revistë të falsifikuar në Indi.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kërkoi javën që lamë pas që punimet e diskutueshme shkencore të tërhiqen dhe paralajmëroi se është duke punuar për normalizimin e situatës në Universitet. Madje ai caktoi një afat prej 45 ditësh për sqarimin e të gjitha çështjeve të hapura në Universitet dhe përcaktimin e përgjegjësisë për të gjitha shkeljet e pretenduara.

Ndërkohë, deputetët e Parlamentit të Kosovës dështuan të merren vesh për propozimet e tyre për tejkalimin e situatës në Universitetin e Prishtinës, që është institucioni më i madh e më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë.

Lidhja Demokratike që ishte nismëtare e debatit dhe dy partitë tjera në opozitë lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkojnë largimin e menjëhershëm të rektorit Ibrahim Gashi, ndërsa Partia Demokratike kërkon hetimin e të gjitha shkeljeve në Universitetin e Prishtinës, por jo nëpërmjet protestave që ata i cilësojnë me motive politike.
XS
SM
MD
LG