Lidhje

Kosovë: Institucionet bëjnë thirrje kundër dhunës


Institucionet e Kosovës kërkuan shmangien e dhunës që përfshiu protestat e së martës në Prishtinë .

Institucionet e Kosovës bënë thirrje për rivendosje te qetësisë pas dhunës që shpërtheu të martën në Prishtinë.

Në një deklaratë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga thuhet se skenat kaotike dhe të dhunshme në rrugët e Prishtinës, janë plotësisht të papranueshme.

Kosovë: Institucionet bëjnë thirrje kundër dhunës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Në deklaratë thuhet se udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, duhet të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Ajo kërkon nga udhëheqësit politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që siç thuhet po e dëmtojnë rëndë shtetin e ri.

Presidentja e konsideron të papranueshme dhunën ndaj policisë së Kosovës dhe dëmtimin e pronës publike e private nga protestuesi. “Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me kushtetutë, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve. Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet vepruar bashkërisht në parandalim të çfarëdo shkallëzimi të mëtutjeshëm të gjendjes”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Ndërsa qeveria e Kosovës shprehu në një reagim, siç thuhet, përkushtimin e saj për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, përfshirë të drejtën e protestës paqësore si një e drejtë e patjetërsueshme e shprehjes së shqetësimeve dhe mendimit qytetar. Por, po ashtu, Qeveria shpreh vendosmërinë që të mos tolerojë zhvillime të cilat cenojnë vendin, institucionet, pronën dhe pasurinë publike e private.

Në një konferencë për gazetarë, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi bënë thirrje që të shmanget dhuna dhe shprehën vullnetin e plotë që të bashkëpunojnë me të gjitha subjektet politike, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në rrugë ligjore dhe kushtetuese. Ata thanë se veprimet e sotshme ishin një tentim për marrjen e pushtetit me dhunë.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për pushtet, meqë pushteti fitohet vetëm me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e jo me dhunë dhe përmes dhunës”, tha kryeministri Mustafa.

Pushteti fitohet me votën e lirë qytetare e jo me akte të dhunës politike. Në këtë shtet vetëm vota e përcakton qeverinë, vota e lirë. Vetëm Parlamenti është përfaqësues legjitim i popullit dhe Qeveria që del nga zgjedhjet dhe Parlamenti”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Ndërkaq, Nisma për Kosovën, e cila ishte pjesë e protestës i bëri thirrje qeverisë që siç thuhet, mos të keqpërdor policinë për të shfryrë mllefin qeveritar kundër qytetarëve protestues.

Nisma për Kosovën u bënë thirrje qytetarëve protestues që kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore, të kulturuar dhe dinjitoze. Ajo konsideron se e drejta për të protestuar është e drejtë qytetare dhe e garantuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre, por gjithmonë në formë paqësore e demokratike.

Ndërkohë ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, përmes një postimi në Twitter tha se “protesta paqësore është një e drejtë demokratike, ndërsa shkatërrimi i pronës publike dhe private është një akt kriminal”, ka shkruar Jacobson.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, e dënoi fuqishëm dhunën që shpërtheu të martën në Prishtinë.

Në një deklaratë për medie ai është shprehur i shqetësuar me ngjarjet e së martës.

Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë por ata duhet që ankesat e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore. Dhuna nuk është zgjidhje”, ka deklaruar ai, duke u bërë thirrje të gjitha partive që të veprojnë me përgjegjësi dhe të përdorin dialogun si rrugën të vetme për të ecur përpara.

XS
SM
MD
LG