Lidhje

KS i OKB-së debatoi gjendjen në Kosovë


Këshilli i Sigurimit i dha mbështetje procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke e cilësuar atë thelbësorë për qëndrueshmërinë në rajon

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, e ka vlerësuar vitin 2013 periudhë të përparimit thelbësore në marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Komentet e tij ishin pjesë e raportit mbi situatën në Kosovë në periudhën nga 16 tetori i vitit 2013 e deri më 20 janar të këtij viti, që u diskutuan në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e sekretarit të përgjithshëm thuhet mes tjerash se “nisur nga marrëveshjet historike të arritura ndërmjet Prishtinës e Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, viti 2013 ishte vit i ndryshimeve domethënëse dhe përparimit thelbësor politik sa i përket Kosovës”.

Debatet mbi raportin vunë theksin tek përfshirja në zgjedhjet për pushtetin lokal në Kosovë të komunave veriore të saj të banuara me shumicë serbe, përfshirë edhe sfidat që ndoqën këtë proces. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje u bë e mundur me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se marrëveshja e 19 Prillit të vitit të kaluar ka hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit dhe paqes së ndërsjellë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Kosova ka respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që ta rrisë përkushtimin e saj ndaj zbatimit të marrëveshjeve. Kryeministri Thaçi tha se Kosova pret hapjen e dyerve të Bashkimit Evropian për të.
Hashim Thaçi

Hashim Thaçi


Integrimi i Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian është synimi ynë parësor dhe i pa-alternativë, si rrugë e modernizimit dhe konsolidimit të rajonit në familjen evropiane. Ne jemi duke zhvilluar negociata me Komisionin Evropian për të përcaktuar përmbajtjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe të sigurojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë në vendet e Bashkimit Evropian, përkatësisht zonën Schengen”, tha ai.

Kryeministri Thaçi, bëri thirrje për njohjen e Kosovës e cila për pak ditë shënon përvjetorin e gjashtë të shpalljes së pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës.

Falënderoj të gjitha shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe gjithashtu iu bëj thirrje vendeve të tjera, duke përfshirë anëtarët e këtij Këshilli të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin ketë hap dhe të bashkohen me botën demokratike në përkrahjen e Kosovës si anëtar i barabartë dhe i plotë i bashkësisë ndërkombëtare. Njohja formale e Kosovës do të ishte kontribut i drejtpërdrejtë i forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha ndërkaq se në Kosovë, duhet krijuar kushtet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së muajit prill të vitit të kaluar. Ai tha se hapja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian është një dëshmi se Serbia ka përmbushur me kohë detyrimet për zbatimin e marrëveshjes. Ai tha se Serbia dëshiron paqe afatgjate, por që ajo të jetë e tillë, duhet të jetë e drejtë.

Ivica Daçiç

Ivica Daçiç

Të jem tërësisht i qartë. Serbia është e gatshme për normalizim marrëdhëniesh dhe pajtim në rajon, para së gjithash në interesin e qytetarëve të zakonshëm. Serbia është po ashtu e gatshme në bisedime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, por nuk është dhe nuk do të jetë e gatshme të pranojë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. I tërheqim vërejtjen Prishtinës që gatishmërinë e Serbisë për bisedime dhe kompromis të mos e interpretojë si dobësi dhe ta shfrytëzojë për afirmimin e pavarësisë së vetëshpallur”, tha kryeministri Dacic.

Ai kundërshtoi edhe çdo mundësi të shkurtimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Mendojmë se për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve është me rëndësi prania ndërkombëtare në Kosovë, për shkak të mungesës së besimit të ndërsjellë dhe kjo ka të bëjë edhe më Misionin e Kombeve të Bashkuara, KFOR-in, EULEX-in dhe misionet tjera ndërkombëtare. Çdo propozim për shkurtimin zvogëlimin apo ndryshimin e mandatit të tyre, duhet të jetë temë debatesh dhe marrëveshjesh serioze që të mos lihen pasoja për paqen e sigurinë në Kosovës dhe rrjedhimisht në të tërë rajonin”, tha ai, i mbështetur nga përfaqësuesi rus i cili përsëriti qëndrimin e Moskës për siç thuhet, ruajtjen e sovranitetit të Serbisë.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Samantha Power, vlerësoi përkushtimin e të dyja vendeve për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa nënvizoi se bisedimet mbeten thelbësore për qëndrueshmërinë në rajon. Ajo ritheksoi mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.

Ne i trimërojmë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, që të shtojnë përpjekjet duke ju bashkuar mbi 100 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara për të njohur realitetin e një Kosovë të pavarur”, tha ajo.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të mërkurën pritet të vazhdojnë raundin e ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Të dy kanë shfaqur besimin se procesi i bisedimeve nuk do të pësojë nga zgjedhjet e parakohshme serbe që mbahen më 16 mars e as nga zgjedhjet e reja parlamentare që pritet të mbahen në Kosovë gjatë këtij viti.
XS
SM
MD
LG