Lidhje

KS i OKB-së diskuton për Kosovën


Në raportin tremujor të sekretarit të përgjigjëm të OKB-së, Ban Ki-moon zë vend të veçantë edhe migrimi i qytetarëve nga Kosova drejt vendeve të BE-së

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debatoi të premten raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, mbi zhvillimet në Kosovë. Në raportin që përfshin zhvillimet në periudhën nga 16 tetori 2014 deri me 15 janar 2015, sekretari i përgjithshëm u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të themelojnë Gjykatën e posaçme për krime lufte, e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2010.

Në raport u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit për angazhim në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Një pjesë të veçantë në raportin e sekretarit të përgjithshëm zë edhe shqetësimi për shtimin e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi në rrugë të paligjshme.

Askush nuk i di numrat e saktë, por autoritetet thonë muajt e fundit është shtuar shumë numri i qytetarëve të Kosovës që po kërkojnë strehim në vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar rrugët nëpër territorin e Serbisë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në ndonjërin nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm i Kosovës, bëri thirrje që Serbia të fillojë hetimin e krimeve të luftës të dokumentuara javën e kaluar nga organizata Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd. Ditë më parë Fondi për të Drejtën Humanitare, me seli në Beograd, akuzoi shefin aktual të ushtrisë serbe për krime në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe për fshehje të trupave të civilëve të vrarë nëpër varreza në Serbi.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ai tha se Serbia duhet të gjej forcë dhe të përballet me me të kaluarën e saj.

Në fjalimin e në Këshillin e Sigurimit ministri Thaçi tha se në shtatë vjet të pavarësisë së saj Kosova “falë vullnetit dhe përkushtimit të popullit, politikës dhe komunitetit ndërkombëtar, ka ndërtuar shoqëri multietnike dhe institucione demokratike të qëndrueshme dhe si rezultat i kësaj, Kosova është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.

Ai tha se përvjetori i shtatë i pavarësisë, e gjen Kosovën si shtet të konsoliduar, brenda dhe jashtë, derisa procesi i njohjes ka dëshmuar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Zoti Thaçi akuzoi Serbinë për vonesat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe kjo sipas tij “tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës”.

Ai tha se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbetet fuqishëm e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë dhe për vazhdimin e bisedimeve që synohet të përmbyllen me njohjen e ndërsjellë.

“Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe zonës Euro-Atlantike, do të vazhdojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si prioritet shtetëror në funksion të zhvillimit dhe transformimit shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Ministri Thaçi kërkoi sërish ri përcaktimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. “Duke vlerësuar arritjet e Kosovës në fushën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike, sociale dhe politike, si dhe duke theksuar marrëveshjen e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, është koha që Këshilli i Sigurimit të konsiderojë mundësinë për një UNMIK të transformuar, që duhet ta ndihmojë Kosovën për t’u anëtarësuar në Agjencitë e Specializuara dhe kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave për t’ju bashkuar Kombeve të Bashkuara në të ardhmen”, tha në fjalën e tij zoti Thaçi.

Ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se se Serbia, pas formimit të qeverisë në Prishtinë, pret tejkalimin e boshllëkut politik që do të duhej të ndihmonte vazhdimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Brukselit.

Ai tha se Beogradi pret që Bashkimi Evropian të vazhdojë lehtësimin e bisedimeve me Prishtinën. “Besojmë se përkushtimi ndaj integrimeve evropiane paraqet forcën kryesore lëvizëse drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai duke shprehur përkushtimin e qeverisë së tij për zbatimin e marrëveshjeve “në interes të paqes, rimëkëmbjes ekonomike dhe pajtimit”.

Ministri serb u shpreh i kënaqur që në raportin e sekretarit të përgjithshëm është përfshirë rëndësia e themelimit të Bashkësisë së Komunave serbe si një nga çështjet kryesore të procesin e zbatimit të marrëveshjeve. “Dua të theksoj se në vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, për Serbinë çështje kryesore mbeten kthimi i të zhvendosurve, pozita e Kishës Ortodokse serbe dhe çështja e pronave”, tha ministri i jashtëm serb.

XS
SM
MD
LG