Lidhje

SHBA sqarojnë se Serbia s'ka juridiksion mbi pasuritë e Kosovës


Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se afaristëve nga SHBA-të u është sqaruar se Kosova është shtet sovran dhe Serbia nuk ka juridiksion mbi minierat e Trepçës

Ambasada amerikane në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate për opinion, theksoi sonte se Kosova është shtet sovran dhe se qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës.

Këto komente pasuan reagimet që nxiti njoftimi i autoriteteve serbe se Ministria për Miniera dhe burime natyrore e Serbisë ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë amerikane “New Generation Power” për bashkëpunimin biznesor dhe teknik në Kombinatin “Trepça”, në Mitrovicë.

Njoftimi nxiti reagimin e autoriteteve të Kosovës të cilat e cilësuan marrëveshjen të paligjshme, ndërsa thanë se do të kërkojnë shpjegim nga ambasada amerikane.

Në një komunikatë për opinion të lëshuar të hënën në mbrëmje nga ambasada amerikane thuhet se “qeveria e SHBA-ve e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Praktika jonë është që të këshillojmë cilëndo kompani të SHBA-ve që kërkon të bëjë transaksion afarist në territorin e Kosovës, që ta diskutojë këtë drejtpërdrejt me qeverinë e Kosovës”.

Në komunkatë thuhet se “ambasada amerikane në Prishtinë nuk është marrë me “New Generation Power”, por zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Washington e kanë këshilluar “New Power Generation” se Kosova është shtet sovran dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës. Departamenti i Shtetit po ashtu inkurajoi kompaninë “New Power Generation” që të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin që e ka propozuar”, thuhet në reagim në të cilin nënvizohet se “rruga para kompleksit të minierave të Trepçës është sfiduese dhe do të vazhdojmë të rekomandojmë që investuesit potencialë nga SHBA-të të hulumtojnë tërësisht ndërmarrjen dhe statusin e saj”.

Kombinati metalurgjik Trepça, ndodhet në Mitrovicë dhe i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe.

Autoritetet në Kosovë thonë se Agjencia e Privatizimit është administratori i vetëm i ndërmarrjes shoqërore “Trepça”. Por, përfshirja e saj në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG