Lidhje

Jacobson: Udhëheqësit të mësojnë artin e ndërtimit të konsensusit politik


Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson u dërgoi porosi të rrepta udhëheqësve politikë për t’i dhënë fund bllokadës pesëmuajshe politike në vend

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, tha të enjten se mosndërtimi i institucioneve të reja po kërcënon falimentimin financiar të qeverisë dhe përmbushjen e përparësive të vendit siç janë ngritja e Forcave të Armatosura, gjykatës së posaçme e deri tek përpjekjet për rimëkëmbje ekonomike, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo tha se koha e marifeteve politike ka përfunduar dhe tash është koha për një marrëveshje ndërmjet partive politike.

Partitë kanë shtuar diskutimet e brendshme në kërkim të një zgjidhjeje për tejkalimin e bllokadës politike, por gjykuar nga deklaratat e tyre, çdo gjë është në pikën zero.

Partia Demokratike ngulë këmbë se asaj i takon posti i kryetarit të parlamentit, një e drejtë që ju njoh edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe se pa të nuk mund të ketë institucione, pavarësisht që nuk i ka votat e mjaftueshme. Koalicioni i krijuar nga Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën dhe lëvizja Vetëvendosje pohon se i ka votat e mjaftueshme për ta lënë Partinë Demokratike në opozitë.

Ambasadorja amerikane tha se zvarritja e procesit është bërë frustuese jo vetëm për qytetarët e Kosovës por edhe aleatët e saj që mund të humbin durimin. Ajo tha se për një kohë të gjatë Washingtoni kishte kërkuar të dije se çfarë po ndodhë më ketë proces.

Çfarë dëgjoj së fundi është – heshtja. Askush nuk pyet për Kosovën. Njerëzit po e humbin interesimin. Kjo është më e rrezikshmja për Kosovën. Si një demokraci e re që ka nevojë për miq, që është mbështetur në komunitetin ndërkombëtarë, që gjithnjë mund të mbështetet në miqësinë dhe përkrahjen amerikane, tash është koha që Kosova si vend i pavarur të dëshmojë se mund të kryejë detyrat e saj”.

Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara. Nuk është një çmim i komunitetit ndërkombëtarë. Kosova është vend i pavarur. Dhe që të ketë sukses, udhëheqësit politik të Kosovës, njerëzit që i keni zgjedhur, duhet të mësojnë artin e ndërtimit të konsensusit politik. Kjo ndonjëherë kërkon kompromis, marrëveshje dhe ndonjëherë është kaotike, por kjo duhet të ndodhë në politikë”, tha ajo.

Zonja Jacobson tha se një marrëveshje politike duhet të shmangë qoftë reagimet e mundshme nëpërmjet protestave në rrugë, qoftë çuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zgjidhje më e mirë do të ishte që udhëheqësit politikë të heqin dorë nga synimi gjithçka ose asgjë dhe të gjejnë rrugën për të ecur përpara”, tha zonja Jacobson duke u bërë thirrje udhëheqësve politikë që të përgjigjen në ftesën e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për një takim të përbashkët.

Ajo ishte e rreptë në porositë e saj drejtuar udhëheqësve politikë, ndërsa nënvizoi se asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, pasi që shumë prej tyre janë të përfshira në raste të dyshuara për korrupsion.

Të shtunën mbushen pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe vendi tashmë është në krizë institucionale, që vlerësohet më e thella që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG