Lidhje

Nënpresidenti Joe Biden pret presidenten Jahjaga


Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, takoi të mërkurën presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Në një komunikatë të zyrës së nënpresidentit Biden thuhet se të dy ata janë pajtuar për nevojën emergjente që të gjitha partitë politike në Kosovë të përfshihen në dialog paqësorë dhe të punojnë në kuadër të parlamentit të zgjedhur për të çuar përpara reformat dhe për të punuar për nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Nënpresidenti Biden nënvizoi mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe inkurajoi qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të çuar përpara procesin e normalizimit.

Nënpresidenti Biden e falënderoi presidenten Jahjaga për angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe udhëheqjen e saj në forcimin e demokracisë në Kosovë, ndërsa nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike të integruar tërësisht në komunitetin ndërkombëtarë.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, citohet të ketë shprehur mirënjohjen e saj ndaj administratës amerikane për përkrahjen dhënë institucioneve të Kosovës për të konsoliduar dhe forcuar demokracinë në vend dhe për subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet mes tjerash se ajo ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar bisedimet me Serbinë, por edhe nevojën që ky proces të përqendrohet edhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash.

Presidentja Jahjaga, thuhet në njoftim, theksoi edhe kontributin e Kosovës për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në veçanti me përballjen me dukurinë e luftëtarëve të huaj, qytetarë të Kosovës që u janë bashkangjitur organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka qenë e pa kompromis në qasjen e saj ndaj kësaj sfide dhe se ka ofruar një partneritet të gjerë me shtetet rajonale për ta adresuar këtë kërcënim.

Presidentja Jahjaga, e cila në fillim të muajit që vjen përmbyllë mandatin e saj, e falënderoi nënpresidentin Biden për përkrahjen personale për Kosovën dhe theksoi se ndihet krenare që në mandatin e saj ka forcuar miqësinë dhe partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG