Lidhje

Nënpresidenti Biden në përurimin e rrugës me emrin e të birit

  • Leonat Shehu

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, mori pjesë të mërkurën në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden. Rruga që do të mbajë këtë emër çon në Bondsteel, në kampin e disa qindra trupave amerikane që vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.

Në një ceremoni emocionale nënpresidenti Biden kujtoi kohën kur i biri i tij i ndjerë kishte shërbyer në Kosovë si këshilltar ligjor në vitin 2001. Ai ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 46 vjeçare.

Nënpresidenti Biden tha se kur i biri kishte ardhur në Kosovë kishte rënë në dashuri me këtë vend ndërsa falënderoi institucionet për vendimin që rruga që çon në kampin Bondsteel të mbajë emrin e të birit, një rrugë të cilën e kishin kaluar së bashku në vitin 2001.

"Mbase më shumti e mbaj mend këtë udhëtim në këtë kodrinë, që u bë monument i KFOR-it dhe përkushtimit amerikan ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës", tha ai, duke nënvizuar se është synimi i familjes së tij që të përmbushë synimet e Bo Biden.

"Të dimë se pesë, dhjetë, njëzet, gjashtëdhjetë vjet më pas, nipat, stërnipat e mi, çdo Biden i lindur do të udhëtojë për të parë atë monument të babait, gjyshit, e stërgjyshit, që besonte në Kosovën", tha ai.

"Unë besoj se ju jo vetëm mundeni por edhe do të ndërtoni një Kosovë të lire, demokratike e përparimtare që do të përmbushë ëndrrat dhe shpresat e mohuara për një kohë të gjatë", tha nënpresidenti Biden.

Kjo do të jetë edhe një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, një formë kjo me të cilën në Kosovë shprehet mirënjohja për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën rolin e të cilave e cilësojnë të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.

XS
SM
MD
LG