Lidhje

Delawie: Jam kundër dhunës


Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha të martën në Prishtinë se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij kundër përdorimit të gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës. Ai komentoi një nismë në një faqe interneti për të nënshkruar një peticion për largimin e tij nga Kosova, për shkak të qëndrimeve kundër veprimeve me të cilat partitë opozitare në Kosovë kanë bllokuar punën e parlamentit.

"Reagimi im i parë është se jam i lumtur të jem në një vend si Kosova ku liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutë, ku secili ka të drejtë të shprehë pikëpamjet e tij dhe kjo përfshinë edhe autorin dhe nënshkruesit e ankesës ndaj meje. Reagimi im i dytë është se nuk do të kërkoj ndjesë për mbështetjen e demokracisë dhe jo dhunës në Kosovë. Mbetem prapa qëndrimeve se nuk ka vend në demokraci për gaz lotsjellës dhe forma tjera të dhunës si mjete politike dhe do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën time të shprehjes mbi ata që përpiqen të dëmtojnë rrugën e demokracisë në Kosovë", tha amabasadori Delawie.

Ai ritheksoi se dhuna në parlament dhe në rrugë e dëmton Kosovën.

"Ajo e pengon parlamentin të bëjë punë e tij. Nuk mund te ketë debat dhe nuk mund të miratohen ligjet që merren me korrupsionin dhe çështje tjera të rëndësishme, nëse parlamenti nuk mund të mblidhet".

Ai i bëri këto komente gjatë një debati me temën “Lufta kundër Korrupsionit Politik në Kosovë: Sfidat Aktuale në Funksion të Reformave të Ardhshme”

Duke ju referuar peticionit në të cilin thuhet se ambasadori Delawie "nuk qan kokën" për korrupsionin në Kosovë, ai tha se që prej arritjes në Kosovë e madje edhe më herët e kishte radhitur luftën kundër korrupsionit si një nga përparësitë e punës së tij.

"Vetëm sa për të shmangur çdo huti, po e shfrytëzoj këtë mundësi për të ritheksuar qëndrimin tim. Besoj se korrupsioni është problemi më i madh për Kosovën. Ai pengon përparimin politik, pengon punësimin dhe investimet dhe më e rëndësishmja dëmton moralin e qytetarëve që ndjehen të pafuqishëm për të bërë ndryshime pozitive. Korrupsioni dëmton të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës", tha ambasadori Delawie.

Peticioni i vënë në një faqe interneti, nxiti shumë reagime në Kosovë. Presidentja Atifete Jahjaga, qeveria e Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe institucione e parti politike të tjera, e cilësuan atë një nismë të pavlerë dhe në radhë të parë kundër Kosovës. në reagime është ritheksuar roli i Shteteve të Bashkuara në të gjithë proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Ambasadori amerikan u ka bërë thirrje partive politike në opozitë që të heqin dorë nga veprimet e dhunshme në parlament e jashtë tij dhe shqetësimet lidhur me proceset politike t'i hedhin për debat në institucione.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, opozita ka bllokuar punën e parlamentit duke kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe sikurse edhe atë të arritur me Malin e Zi për shënimin e kufirit.

Qeveria e Kosovës u bëri sërish ftesë partive opozitare që çdo shqetësim të tyre ta diskutojnë në parlamentin e Kosovës.

Por, partitë opozitare thonë se qeveria duhet të largohet në dritën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata tha se marrëveshja në pjesën më të madhe të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ato i dhanë këtë javë qeverisë afat që deri më 27 shkurt që të largohet për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Po ashtu, ato kanë paralajmëruar forma të ndryshme të kundërshtimit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, që sipas Kushtetutës duhet të përmbyllet deri më 7 mars.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG