Lidhje

Mabus: SHBA, përkushtim ndaj Kosovës


Ray Mabus

Ray Mabus

Sekretari amerikan i marinës, Ray Mabus, tha në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara u kushtojnë rendësi të veçantë marrëdhënieve me Kosovën.

Sekretari amerikan i marinës, Ray Mabus, tha të martën në Prishtinë se qeveria dhe ushtria amerikane do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në angazhimet e tyre me qeverinë Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komentet e tij pasua takimet me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, zyrtarë të qeverisë dhe të Forcës së Sigurisë. Sekretari Mabus tha se e mirëpret thellimin dhe zgjerimin e rolit të forcave të marinës amerikane me Forcën e Sigurisë, por edhe qeverinë “përderisa ato të lëvizin drejt sigurimit të paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon”.

“Mund të pyesni se pse sekretari amerikan i marinës ka ardhur në një vend që nuk ka dalje në det, por arsyeja është se korpusi i marinsave amerikan më raporton mua dhe ky korpus ka një varg të angazhimesh. Ushtrimet dhe seminaret që po i mbajmë janë në fushën e komunikimit, logjistikës, komandës dhe kontrollit, gjëra që çdo forcë duhet të jetë e aftë t’i zotërojë. Marinsat tanë janë ushtarakë të shkëlqyeshëm dhe reagojnë në kriza dhe në raste humanitare”, tha ai.

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate pas takimit me sekretarin Mabus, ka vlerësuar “ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën, posaçërisht në ndërtimin e paqes, të stabilitetit dhe përparimit për të gjithë qytetarët e saj”. Ajo ka nënvizuar se “prania amerikane në Kosovë dhe në veçanti përmes forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it, kanë ndihmuar në stabilitetin dhe vendosjen e paqes jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon në përgjithësi”.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se presidentja Jahjaga e njoftoi sekretarin Mabus edhe për punën e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe theksoi se “me përmbylljen e procesit të rishqyrtimit të sektorit të sigurisë në Kosovë është rekomanduar transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, një force mbrojtëse të armatosur lehtë që do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës”.

Presidentja Jahjaga tha se Forca e Armatosur e Kosovës duhet të jetë pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s për të siguruar zhvillimin e mëtejmë të saj dhe për të marrë detyrat në fushën e sigurisë në periudhat e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë.

Presidentja e ka njoftuar mysafirin edhe me siç thuhet, proceset e nisura, përfshirë atë të krijimit të Gjykatës së Posaçme, dhe njëkohësisht është e angazhuar edhe në dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Ajo theksoi se as Kosova nuk është kursyer nga sfidat e shumta globale posaçërisht në fushën e sigurisë, dhe nga kërcënimet ekstremiste dhe radikale, por ka bërë hapa të rëndësishëm në parandalimin e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG