Lidhje

Vizita e ndihmës sekretares Nuland në Prishtinë


Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit diskutoi me udhëheqësit politikë në Kosovë për zhvillimet në rajon dhe proceset e brendshme politike në vend

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, takoi sot udhëheqësit politikë të Kosovës me të cilët ka diskutuar për bisedimet Kosovë – Serbi, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit e ekstremizmit dhe për zhvillimet tjera politike në vend.

Zonja Nulland e cila po zhvillon një vizitë në vendet e Ballkanit perëndimor, i kushtoi një vend të posaçëm çështjes së korrupsionit në këto hapësira. Gjatë një fjalimi në Dubrovnik të Kroacisë, ajo tërhoqi vërejtjen se kjo dukuri kërcënon sovranitetin kombëtar të vendeve.

Në Prishtinë, ajo mori zotimet për angazhim në çështjet e diskutuara në takime. Në një komunikatë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga thuhet se me angazhimin në dialogun intensiv me Serbinë, Kosova do që të krijojë normalizim dhe të forcojë sovranitetin e saj. Presidentja theksoi se zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e Bashkimit Evropian, janë faktor kryesor, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Jahjaga, thuhet në njoftim, e ka siguruar ndihmës sekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë përparësi dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Presidentja Jahjaga gjithashtu ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin, por tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të fuqishëm ligjor dhe të sigurisë për të mposhtur këtë kërcënim dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër kësaj dukurie negative. Kosova nuk do të jetë vend i sigurt ose rrugë kalimtare për këto elemente dhe do të punojë në partneritet të ngushtë me aleatët për të adresuar këto kërcënime, thuhet nw njoftimin e zyrës sw presidentes Jahjaga.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se qeveria e Kosovës ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, por ka tërhequr vëmendjen në ngecjet nga ana e Serbisë.

Zonja Nuland ka biseduar me mikpritësit e saj, përfshirë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike Isa Mustafa dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj edhe për zhvillimet e brendshme politike që kanë të bëjnë me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit.

Përfaqësuesit politikë ritheksuan vlerësimin e Kosovës për mbështetjen amerikane dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Zonja Nuland pasdite qëndroi në Beograd, ndërsa të hënën ajo pritet të qëndrojë në Maqedoni ku ditëve të fundit tensionet etnike ishin shumë të larta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG