Lidhje

Shtetet e Bashkuara përgëzojnë Kosovën


State Department Building
State Department Building

Departamenti amerikan i shtetit mirëpret formimin e institucioneve të Kosovës dhe zotohet për mbështetjen e tij në përballjen me sfidat që ndodhen përpara saj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzuan Kosovën për formimin e institucioneve të reja. Në një komunikatë të departamentit amerikan të shtetit nënvizohet fakti që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme të mbajtura në tërë territorin e Kosovës.

Në komunikatë thuhet se “koalicioni qeverisës dhe procesi që çoi në formimin e tij, dëshmon, gatishmërinë dhe vitalitetin e institucioneve politike e demokratike të Kosovës”.

Departamenti i shtetit e vlerëson presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga për siç thuhet, udhëheqjen e vendosur për të siguruar që kalimi i pushtetit të bëhet në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ne e përgëzojmë po ashtu kryeministrin Isa Mustafa dhe presim të punojmë ngushtë me të dhe kabinetin e tij të ri në përballjen me shumë sfida që ndodhen para Kosovës dhe rajonit”, thuhet në komunikatë.

Departamenti zotohet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Kosovës për t’u përballur me këto sfida, përfshirë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përkushtimin e Kosovës për ngritjen e Gjykatës Speciale që do të trajtojë dyshimet e hetuara nga Forca e posaçme hetuese.

Ne presim që qeveria të punojë në mënyrë të gjithanshme me komunitetet e Kosovës dhe të ketë qasje serioze ndaj çështjes së korrupsionit. Ne presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Kosovën në agjendën e përbashkët që çon përpara zhvillimin politik e ekonomik të Kosovës dhe integrimet euro atlantike”, thuhet në komunikatën e departamentit amerikan të shtetit.

Të martën parlamenti i Kosovës votoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Votimi i qeverisë përmbylli procesin e formimit të institucioneve të Kosovës, një proces që zgjati gjashtë muaj për shkak të mospajtimeve ndërmjet forcave politike.

XS
SM
MD
LG