Lidhje

Reeker: Po përmbyllet mbikëqyrja – jo mbështetja


Philip Reeker dhe Hashim Thaçi

Philip Reeker dhe Hashim Thaçi

Zv/ndihmës sekretari amerikan, Philip Reeker, tha se Kosova po nis një kapitull të ri dhe SHBA janë partner në hapat e saj drejt pavarësisë së plotë

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, tha në Prishtinë se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një njohje e arritjeve dhe përparimit të Kosovës dhe një shprehje e besimit për të ardhmen e saj si një demokraci shumetnike te bashkuar e gjithëpërfshirëse.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën.

Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin, pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit të plotë euroatlantik”, tha zoti Reeker, duke nënvizuar se përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare mund të shënojë fundin e përgjegjësive ekzekutive të rezervuara për komunitetin ndërkombëtarë sipas planit të Martti Ahtisaarit, por nuk shënon fundin e angazhimit dhe ndihmës së fuqishme ndërkombëtare përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara. “Përqendrimi ndërkombëtarë ndaj Kosovës do të shtohet pas ditës së sotme dhe derisa Kosova punon për forcimin e shtetit, ne duhet të përqendrohemi në përmbushjen e reformave të vështira por të domosdoshme”.

Ai tha se po nis një kapitull i ri me mundësi të reja të rëndësishme, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë partner derisa ajo po hedh hapat drejt pavarësisë së plotë. Ai tha se ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në integrimin evropian, duke theksuar mbështetjen për bisedimet ndërmjet dy palëve.

Bisedimet janë absolutisht thelbësore në shekullin 21”, tha zoti Reeker, i cili nga mikpritësi i tij kryeministri Thaçi, mori zotimin për angazhim të fuqishëm të institucioneve për t’u përballur me sfidat që e presin Kosovës pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.
XS
SM
MD
LG