Lidhje

Kosova përgëzon presidentin Obama

  • Leonat Shehu

Udhëheqësit e Kosovës krahas urimeve për rizgjedhjen e presidentit amerikan, shprehin edhe mirënjohjen për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës dhe qytetarët e saj përgëzuan sot presidentin amerikan Barack Obama me rastin e rizgjedhjes së tij, duke vënë theksin në rëndësinë që ka mbështetja amerikane për Kosovën dhje proceset politikë rreth saj.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në një telegram urimi përgëzon sic thuhet “popullin amerikan për përkushtimin që ta realizojë të drejtën e votës duke qenë pjesëmarrës në forcimin e demokracisë dhe idealeve që shquajnë Shtetet e Bashkuara. Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjithë ne që punojmë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, prosperuese dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë. Kjo më së miri dëshmon besimin që qytetarët amerikanë kanë për vizionin tuaj dhe për punën e palodhshme për të shtyrë përpara reformat në SHBA dhe për të forcuar paqen dhe stabilitetin në botë duke promovuar vlerat amerikane që garantojnë një të ardhme më të sigurt”.

Në telegram thuhet se “Republika e Kosovës është një aleat dhe partner i përkushtuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të angazhohemi fuqimisht që të thellojmë miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë edhe më tutje. SHBA-të kanë luajtur rol vendimtar për lirinë dhe të drejtën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, të udhëhequra nga ju, kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, avancimin e proceseve demokratike dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në urimin e tij drejtuar presidentit Obama thekson se “zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngjarje madhore jo vetëm në vendin tuaj, por në tërë botën, sepse ndikimi i vendit tuaj ka përmasa globale. Fushata parazgjedhore dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA janë shkollë më vete për frymën e demokracisë, transparencës dhe korrektësisë që frymëzon kombet dhe shoqëritë anembanë botës”.

Duke e cilësuar rizgjedhjen e presidentit Obama si një mundësi të re edhe për thellimin e paqes në botë, kryeministri Thaçi thekson se “populli i Kosovës ka përcjellë me simpati zgjedhjet presidenciale dhe vazhdon të mbetet i magjepsur me fuqinë e shpirtit amerikan, që së fundi u përball me dinjitet edhe me uraganin Sandy, duke treguar kapacitetet e pafundme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova dhe qytetarët e saj i janë mirënjohës SHBA- ve për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhënë si në të kaluarën, në ditët e sotme, ashtu edhe në të ardhmen”.

Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, duke vlerësuar lart marrëdhëniet ndermjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, shpreh bindjen ne thellimin dhe zgjerimin e tyre.



Prishtina zyrtare llogaritë në mbështetjen amerikane edhe në procesin e ri të bisedimeve me Serbinë. Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton ka ftuar kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Ivica Daçiç në një takim sonte në Bruksel për të vazhduar bisedimet e filluara më 19 tetor në takimin e parë ndërmjet kryeministrave, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.

Të dyja palët janë shprehur në favor të këtyre bisedimeve, ndërsa procesi është mbështetur fuqishëm nga sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e cila të mërkurën e kaluar, kërkoi vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kundërshtoi çfarëdo bisedimesh që prekin kufijtë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG