Lidhje

Kadri Veseli, edhe zyrtarisht kandidat për kryetar të PDK-së


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, shpalli sot edhe zyrtarisht kandidaturën për të drejtuar Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai pret të pasojë në këtë detyrë kryetarin e deritashëm të kësaj partie, Hashim Thaçi, i cili në fillim të muajit prill mori përsipër postin e presidentit të Kosovës.

Kadri Veseli, i cili aktualisht është kryetar në detyrë i kësaj partie, vlerësoi të premten punën e zotit Thaçi i cili drejtoi Partinë Demokratike që nga themelimi i saj.

“Të gjithë ne do të ngelemi përjetë mirënjohës dhe borxhlinj për kontributin e tij vendimtar në themelimin, forcimin dhe fitoret e partisë sonë”, tha ai.

Duke shpallur synimin e tij për të pasuar zotin Thaci, ai tha se për vite me radhë ka kryer me përkushtim dhe entuziazëm detyrën e zëvendëskryetarit të partisë dhe se tash ka mjaftueshëm përvojë, mundësi dhe energji për të qenë kryetar i saj.

“Pas një konsultimi me bashkëshorten time, me familjen time, me kolegët e mi dhe pas pranimit të shumë mesazheve të përkrahjes nga votuesit e PDK-së kam vendosur të kërkoj nga anëtarët e partisë besimin dhe mbështetjen për të marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë”, tha ai, duke nënëvizuar se synon të ruajë sukseset e PDK-së dhe të ndihmojë që vendi të ecë drejt integrimeve euro-atlantike.

“Unë do të vazhdojë politikën e partneritet ndërkombëtar, veçanërisht me vendet që ishin gjithmonë pranë Kosovës. Këtë ua kam bërë me dije edhe partnerëve të Kosovës gjatë vizitave të mia të fundit në Uashington, Berlin dhe Bruksel”, tha ai.

Zgjedhjet në Partinë Demokratike pritet të mbahen më 7 maj.

Kandidati për postin e kryetarit të saj, Kadri Veseli, u zgjodh kryetar i parlamentit të Kosovës në dhjetor të vitit 2014, pas një krize politike që pasoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit të atij viti.

Kadri Veseli, i njohur me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë nga zoti Veseli.

XS
SM
MD
LG