Lidhje

Kosovë: Veteranët e luftës pajisen me certifikata


Shpërndarja e certifikatave është faza e fundit e procesit të përcaktimit të numrit të saktë të pjesëtarëve të UÇK-së dhe vërtetimit të identitetit të atyre që luftuan dhe dhanë jetën në luftën e viteve 1998 dhe 1999.

Në Kosovë, filloi sot procesi i lëshimit të certifikatave për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një proces që hap rrugën për zbatimin e ligjit për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së UÇK-së.

Kryetari i komisionit për këtë çështje, Agim Çeku, tha se verifikimi i veteranëve ishte një proces jashtëzakonisht i gjatë, i mundimshëm dhe i ndërlikuar.

Ai u beri thirrje veteranëve që ta presin qeverinë deri sa ta nxjerrë një udhëzim administrativ me të cilin caktohet lartësia e kompensimit financiar, kushtet, mënyrën, modelin dhe kohën nga e cila fillon marrja e këtij kompensimi financiar për veteranët.

Komisioni, i cili u krijua në janar të vitit të kaluar synon të përcaktojë numrin e saktë të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vërtetojë identitetin e atyre që luftuan dhe dhanë jetën në luftën kundër forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Procesi i hartimit të listave të veteranëve ka nxitur pakënaqësi, ndërsa komisioni qeveritar pohon se vonesat ishin pasojë e faktit që mbi 65 mijë veta kanë aplikuar për të fituar statusin e pjesëmarrësit në luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare. Pakënaqësitë në disa raste çuan edhe në protesta të veteranëve të pakënaqur.

Zoti Çeku, tha të premten se lëshimet eventuale që janë bërë do të përmirësohen dhe ata që janë ankuar nuk duhet të dëshpërohen. “Ka ndodhur një lëshim i pa qëllimshëm në disa raste, mirëpo ankesat do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh dhe atëherë do të mundohemi të jemi sa më objektiv dhe t’ia njohim secilit kontributin që e ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë tonë”, tha ai.

XS
SM
MD
LG