Lidhje

Vdes në burg veprimtari i lëvizjes Vetëvendosje


Autoritetet në Kosovë bënë të ditur se veprimtari i lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka vdekur në burgun e Prizrenit. Prokuroria e këtij qyteti ka hapur hetimet për të ndriçuar rastin që ajo e ka cilësuar si "vdekje e dyshimtë".

Astrit Dehari ishte në paraburgim në Prizren për më shumë se dy muaj nën dyshimet për sulm ndaj ndërtesës së Parlamentit të Kosovës në fillim të muajit gusht. Ai ishte arrestuar në fund të atij muaji së bashku me pesë anëtarë tjerë të lëvizjes Vetëvendosje.

Mediat në Prishtinë cituan zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës të kenë thënë se i ndjeri Dehari ka përdorur “një sasi ilaçesh, duke rënë në koma”, por nuk janë hollësi të tjera. Ministria e Drejtësisë, duke shprehur keqardhjen për vdekjen e veprimtarit tha se ekspertët e mjekësisë ligjore, prokuroria dhe policia po punojnë në ndriçimin e rastit.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për opinion ka kërkuar nga institucionet e vendit që të zbardhet vdekja e veprimtarit të saj.

“Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja Vetëvendosje mban pike së pari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë,me akuza krejtësisht të montuara”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Përgjegjësi kërkuan edhe partitë tjera opozitare.

XS
SM
MD
LG