Lidhje

Vetëvendosje me propozime për kufirin me Malin e Zi


Në Kosovë, lëvizja Vetëvendosje prezantoi të martën një propozim pesëpikësh për zgjidhjen e situatës së krijuar në vend për shkak të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, tha se "marrëveshja duhet të jetë në përputhje me rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Publike". Ai tha se kjo lëvizje propozon që parlamenti i Kosovës, "të themelojë një komision gjithë-partiak dhe mbi-partiak", që të jap udhëzimet për shënimin e kufirit dhe të " të themelohet edhe një komision hetimor për marrëveshjen e 26 gushtit", të vitit 2015 që u nënshkrua ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në pikën e tretë, Vetëvendosje propozon që "kryeministri i Kosovës, përmes një shkrese zyrtare, t'i dërgojë kërkesë homologut të tij nga Mali i Zi, për rishikim të marrëveshjes".

Vetëvendosje propozon që "kryeministri i Kosovës, përmes një shkrese zyrtare, të zotohet para institucioneve të Bashkimit Evropian për zgjidhje të drejte në lidhje me demarkacionin, dhe të kërkojë që kjo të mos jetë pengesë për procesin e liberalizimit të vizave dhe proceset e mëtutjeshme për integrime evropiane".

Sipas Vetëvendosje "duhet të organizohet një konferencë shkencore ndërkombëtare në Prishtinë për çështjen e demarkacionit".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se do të ftojë opozitën për të diskutuar për çdo argument të mundshëm rreth kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja më Malin e Zi, çoi në krizë të thellë politike në vend për shkak të mospajtimeve ndërmjet qeverisë dhe opozitës e cila pohon se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedh poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Më një shtator kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tërheqjen nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes. Sipas, përfaqësuesve të opozitës kjo në fakt nënkupton rënie të kësaj marrëveshjeje dhe tash është koha për rishikim të plotë të saj.

Më 26 gusht të vitit 2015, Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan në Vjenë marrëveshjen për shënimin e kufirit ndërmjet tyre. Ndërsa Mali i Zi e ka ratifikuar marrëveshjen, në Kosovë ajo nxiti mospajtime të thella.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha në fillim të shtatorit se mospajtimet në Kosovë lidhur me shënimin e kufirit ndërmjet të dyja vendeve janë çështje e brendshme e Kosovës dhe pret që ajo të zgjidhet nëpërmjet dialogut të brendshëm të saj.

Debati për kufirin në Kosovë u përcoll gjatë një viti me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Ratifikimi i marrëveshjes është kusht që Kosova duhet ta përmbushë para se të përfshihet në regjimin e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG