Lidhje

Vetëvendosje rrëzon edhe një kamion me prodhime serbe


Veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje thanë se kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë që shiten në Kosovë.

Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se "hegjemonia e Serbisë në Kosovë është e papranueshme, qoftë ajo politike, ushtarake, apo ekonomike. E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve. Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat. Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t'i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj. Për të pasur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik".

Për këtë arsye, thuhet në njoftim, aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje sot, në Rrugën e Kombit, e kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë. Aksione të tilla do të vazhdojnë deri sa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës, dhe të mos na i mohojnë të drejtat tona kombëtare!

"Dëshirojmë të bëjmë me dije se gjatë aksionit, si dhe gjatë çdo aksioni tjetër të mëparshëm, aktivistët janë kujdesur në maksimum që drejtuesi i mjetit dhe asnjë pasagjer të mos lëndohen fizikisht e të mos frikësohen. Ne nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të cilësdo etni, apo të cilitdo vend".

Më 3 mars kjo lëvizje përmbysi një kamion me prodhime serbe duke kundërshtuar vendimin e autoriteteve të Serbisë për të mos lejuar shpërndarjen e mbi 100 mijë librave në gjuhën shqipe që ishin dhuruar nga Ministria e Arsimit e Kosovës për shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG