Lidhje

Kosovë: Vetëvendosje hedh ngjyrë mbi makinën e kryeministrit


Lëvizja Vetëvendosje hodhi ngjyrë mbi makinën e kryeministrit Isa Mustafa në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Qeveria dënon veprimet e kësaj lëvizjeje

Policia e Kosovës tha se është vënë në kërkim të dy personave që hodhën ngjyrë mbi makinën e kryeministrit Isa Mustafa, në orët e mëngjesit derisa ai po udhëtonte për në zyrë. Lëvizja vetëvendosje tha se veprimi ishte kryer nga veprimtarët e saj. Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se “duam t'ia kujtojmë Mustafës se nuk mund ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës përmes krijimit të "Zajednicës". Nëse ai insiston në këtë, ne do ta defunksionalizojmë qeverinë e tij”.

Veprimi i sotëm i lëvizjes Vetëvendosje është pjesë e veprimtarive të saj për të kundërshtuar marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Më 25 gusht Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Partitë opozitare në Kosovë thonë se asociacioni i komunave çon në ndarjen e Kosovës, ndërsa lëvizja Vetëvendosje kundërshton edhe marrëveshjen që i siguron Kosovës kodin e saj telefonik, por nëpërmjet Austrisë.

Qeveria e Kosovës dënoi nëpërmjet një komunikate atë që ajo e quan sulm ndaj kryeministrit të Kosovës, “të orkestruar dhe të kryer sot nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e Republikës së Kosovës e gjykon të papranueshme dhe me pasoja të dëmshme për shtetin e Kosovës çdo formë të dhunës të ushtruar mbi institucionet dhe përfaqësuesit legjitim të Republikës së Kosovës dhe fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha masat për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Në reagim thuhet se qeveria e Kosovës, “mbetet e përkushtuar për debat konstruktiv politik, brenda institucioneve të vendit, me të gjithë përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile, dhe siguron qytetarët e Kosovës se ngjarjet e tilla nuk do të mund të na ndalin në misionin tonë për zhvillim ekonomik, shtet ligjor dhe integrime euroatlantike”.

Debatet rreth marrëveshjeve me Serbinë, kanë bërë që tonet e diskutimeve të jenë të ashpra ndërmjet qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Marrëveshjet ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën pas një takimi me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç se marrëveshjet e fundit midis Prishtinës dhe Beogradit “do t’i japin një shtytje të rëndësishme përparimit të Serbisë drejt integrimit evropian.

Beogradi shpreson që vendimi për hapjen e bisedimeve më Bashkimin Evropian të merret para fundit të vitit, por diplomatët thonë se atij vendimi duet t’i paraprijë vlerësimi i zbatimit në terren të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kapitulli i parë i bisedimeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë.

Bisedimet me Serbinë, Kosovës i mundësuan marrëveshjen e stabilizim asocimit më Bashkimin Evropian, nënshkrimi i së cilës pritet muajt në vazhdim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG