Lidhje

Kosovë: Marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër ekstremizmit


Zyra e kryeministrit të Kosovës, ambasada amerikane dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, nënshkruan të mërkurën në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në një njoftim të qeverisë së Kosovës thuhet se "kjo marrëveshje ofron kuadrin e përgjithshëm të bashkëpunimit për zbatimin e një projekti për të kryer një vlerësim bazik të luftëtarëve të huaj që vijnë ose që janë të lidhur me Kosovën".

Qëllimi i projektit "është që të prodhojë një vlerësim gjithëpërfshirës që mund të përdoret për hartim të politikave të bazuara në dëshmi për parandalimin e radikalizmit të dhunshëm në burgje dhe në komunitete, për të informuar aktivitetet për deradikalizim dhe riintegrim, si dhe për të siguruar një drejtim strategjik për Strategjinë e Kosovës për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planin e saj të Veprimit", thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve në Kosovë, rreth 316 veta besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.

Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar.

Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.

Një prej çështjeve më të diskutueshme është riintegrimi i të kthyerve nga ato luftëra dhe parandalimi i përfshirjes së të tjerëve.

Në dy javët e para të muajit nëntor 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon. Ndonëse nuk janë dhënë hollësi se cilat ishin planet për sulme në Kosovë, policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Analistët thonë se derisa po përjeton humbje të territoreve në lindjen e Mesme, grupi militant Shteti Islamik po provon të nxisë simpatizantët e tij për sulme në vendet e tyre dhe Kosova duhet të rrisë përpjekjet e saj për të penguar radikalizmin.

Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.

Analistët thonë se institucionet duhet të veprojnë jo vetëm më forcën e ligjit por edhe me të ashtuquajturat masa të buta për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm.

XS
SM
MD
LG