Lidhje

Kosova ende larg liberalizimit të vizave


Komisioni Evropian u ka paraqitur institucioneve edhe 70 rekomandime për të plotësuar kriteret për përfshirje në liberalizimin e vizave

Problemet me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, radhiten në mesin e pengesave kryesore për Kosovën që të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.

Shqetësimi për këtë çështje është pjesë e raportit të Komisionit Evropian, një delegacion i të cilit i dorëzoi sot qeverisë së Kosovës raportin rreth vlerësimit të punës së institucioneve për përmbushjen kritereve për liberalizimin e vizave.

Në raport thuhet mes tjerash se, mundësitë aktuale të Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mbeten të kufizuara dhe më një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të Bashkimit Evropian.

Në raport përmenden si pengesa edhe migrimi i paligjshëm dhe çështja e reformave në drejtësi, ndërsa qeverisë i janë paraqitur rreth 70 rekomandime që duhet përmbushur deri në përfshirjen e Kosovës në regjimin e udhëtimit pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian hapi bisedimet me Kosovën për liberalizimin e vizave në janar të vitit të kaluar.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropën Juglindore jashtë këtij procesi dhe qytetarët e saj mund të udhëtojnë në shumë pak vende pa viza.

XS
SM
MD
LG