Lidhje

Përplasje rreth arrestimit të Fatmir Limajt

  • Leonat Shehu

Autoritetet vendase në Kosovë e cilësojnë politik vendimin për paraburgimin e Fatmir Limajt – BE-ja kërkon shmangie të komenteve politike

Në Kosovë, avokatët mbrojtës të deputetit Fatmir Limaj, kërkuan nga një gjykatë e EULEX-it që të mundësojë mbrojtjen e tij në liri. Ata paraqitën ankesë ndaj vendimit të së shtunës të një gjykatësi të EULEX-it i cili urdhëroi dërgimin në paraburgim të deputetit të Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe tre të tjerëve të akuzuar për krime lufte.

Vendimi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Kryeministri Hashim Thaçi, e cilësoi sot paraburgimin e zotit Limaj si një veprim të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë. Ai tha sot se “askush nuk ka të drejtë të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e as EULEX-it tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve të arrestojë luftëtarët tanë, si deputetin Fatmir Limaj”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, nëpërmjet një komunikate, thekson se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet, por kërkon që politikanët dhe institucionet politike, të shmangin komentet rreth çështjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proceset gjyqësore. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre", thuhet në reagimin e zotit Zbogar.

Në muajin maj të këtij viti Fatmir Limaj dhe tre ish bashkëluftëtarë të tij qenë shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999. Por, javën e kaluar, Gjykata e lartë e Kosovës, vendosi kthimin e çështjes në rigjykim.

Kundër rigjykimit kanë reaguar edhe pjesëtarët e njësive të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjatë luftës ishin nën komandën e zotit Limaj duke bërë përgjegjës edhe kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e drejtësisë Hajredin Kuçi.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Javën e kaluar, EULEX-i bëri të ditur është ngritur aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj dhe gjashtë të tjerëve, nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion. Akuzat u ngritën më shumë se dy vjet pasi që EULEX-i bastisi Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që drejtohej nga zoti Limaj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG