Lidhje

Beogradi mohon akuzat ndaj shefit të ushtrisë


Autoritetet më të larta politike serbe reaguan me zemërim ndaj pohimeve se shefi i shtabit të ushtrisë serbe është përfshirë në krime lufte në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i bëri thirrje Beogradit që të punojë për ndriçimin e krimeve të kryera në Kosovë nga forcat serbe, ndërsa udhëheqësit serb thanë se akuzat që bëhen ndaj oficerëve të lartë të ushtrisë serbe, janë përpjekje për të rrënuar Serbinë.

Këto komente pasuan pohimet e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi se ka dokumente që dëshmojnë se shefi aktual i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, është përgjegjës për krime lufte në Kosovë.

Sipas fondit, ai është përgjegjës për krime në fshatrat Rezallë dhe Çikatovë e Vjetër, të rajonit të Drenicës në Kosovën qendrore, si dhe për fshehjen e trupave në një varrezë masive në rajonin e Rashkës në Serbinë jugperëndimore.

Fondi thotë se ka dokumente që tregojnë qartë se në vrasjen e civilëve shqiptarë në Rrezallë dhe Çikatovë më 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ishte shefi aktual Shtatmadhorisë së ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se pohimet e fondit janë një “shembull i mirë i betejës së guximshme që serbët brenda këtij fondi po e zhvillojnë për të zbardhur krimet në Kosovë. Por, kjo flet se njerëzit që kryen krime makabre në Kosovë ende mund të jenë në vendet më të rëndësishme në pushtetin serb”.

Ai pret që edhe qeveria e Serbisë, “do të punojë në zbardhjen e krimeve, të udhëhequra nga shefi i saj i armatës dhe tjerët ndaj popullit të Kosovës, si një prej kushteve bazë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Qeveritarët serb duhet të tregojnë përgjegjësi ndaj krimeve dhe dëmeve që shteti i tyre i ka bërë në Kosovë dhe të reflektojnë për përgjegjësinë e tyre”, thuhet në reagimin e kryeministrit Mustafa.

Udhëheqësit më të lartë politik serb, reaguan me zemërim ndaj pohimeve të fondit për të drejtën humanitare.

Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, e priti të premten gjeneralin Dikoviç, duke e cilësuar atë “njeri të ndershëm”, ndërsa pohimet e fondit si “sulme që kanë për qëllim, njollosjen dhe destabilizimin e ushtrisë serbe”.

Është e qartë se ekzistojnë disa qarqe që nuk e kanë në interesin e tyre që Serbia të jetë shtet modern e i zhvilluar dhe të cilët vuajnë për kohërat kur kishte lulëzuar korrupsioni dhe anarkia, meqë kishin kaluar shumë mirë në një mes të tillë, derisa qytetarët jetonin si mos me keq. Prandaj ata duan që me cdo kusht të nxisin jostabilitet në Serbi dhe në këtë funksion janë edhe sulmet e orkestruara mbi institucionet e shtetit e tash edhe mbi ushtrinë serbe” citohet të ketë thënë presidenti serb Nikoliç.

Edhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe ministri i jashtëm Ivica Daçiç i vlerësuan pohimet e fondit si përpjekje për dobësimin e ushtrisë serbe dhe dëmtim të imazhit të Serbisë.

Fondi për të drejtën humanitare pohon se në periudhën ndërmjet 5 dhe 17 prillit të vitit 1999 në fshatrat Rezallë, Çikatovë e Vjetër, Zabel i Ultë dhe Glanasellë, janë vrarë të paktën 73 civilë shqiptarë, pjesa më e madhe në Çikatovë e Vjetër dhe Rrezallë. Në varrezën masive ne fshatin Rudnicë të komunës së Rashkës në Serbi, gjatë gërmimeve të vitit 2014, janë gjetur dhe identifikuar trupat e 52 viktimave nga 14 deri në 87 vjeç.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe gati 16 vjet pas luftës që mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s, nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG