Lidhje

Kandiq: Ka nisur hetimi paraprak ndaj gjeneral Dikoviqit


Nga Radio Evropa e Lirë

Në bazë të akuzave për vepër penale nga ana e Fondit për të Drejta Humanitare, Prokuroria për krime lufte e Serbisë është duke bërë hetimin paraprak ndaj shefit të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisha Dikoviq dhe tre personave tjerë.

Hetimi ndaj këtyre personave është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimeve se ata kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në fshatin Rrezallë në Kosovë, në vitin 1999, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ish-drejtoresha e Fondit për të Drejta Humanitare, Natasha Kandiq.

Në anën tjetër, Prokuroria për krime lufte e Serbisë, ka thënë se kanë nisur hetimet paraprake për personin N.N. për vrasjen e civilëve, të varrosur në varrezën masive në Rudnicë.

Në letrën që Prokuroria serbe për krime lufte ia ka dërguar avokatit të Fondit për të Drejtën Humanitare, Vladimir Gajiq, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, thuhet se “lidhur me kërkesën tuaj, të cilën si avokat i autorizuar i Fondit për të Drejtën Humanitare e keni paraqitur ligjërishtnë këtë prokurori, me datën 12 tetor 2015, lidhur me kallëzimin penal kundër Ljubisha Dinkoviqit, Dejan Rangjeloviqit dhe dy personave të panjohur, ju lajmërojmë që prokuroria procedon sipas këtij kallëzimi penal dhe në kornizë të procedurës paraprake po i verifikon pretendimet duke mbledhur të dhënat dhe informacionet e nevojshme”.

Natasha Kandiq, thotë se në këtë moment është e sigurtë që që shefi i tanishëm i Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të mbesë në atë funksion.

“Ky dyshim publik të cilin Fondi për të Drejtën Humanitare e ka paraqitur prej vitit 2012, me këtë rast është përforcuar ligjërisht dhe mendoj që më nuk ka hapësirë as për procedurë civile, e as për mbetjen e gjeneralit Dikoviq në një pozitë aq të lartë".

"Faktikisht, ai është dikush që nuk guxon të jetë në një funksion publik dhe tashmë janë krijuar kushtet që pafajësinë e tij ta tregojë para atij gjyqi dhe jo në procedurë civile”, ka thënë Kandiq.

Lidhur me atë se çfarë përmban kallëzimi penal i Fondit për të Drejtën Humanitare, Kandiq thekson se “fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar dy raporte në janar të vitit 2012, të quajtura ‘Dosja Ljubisha Dikoviq’, atëherë kur qeveria e kaluar, në mënyrë energjike dhe pa argumente ka kontestuar çdo të dhënë të cekur në atë dosje dhe e ka mbështetur gjeneralin Dikoviq.

"Ai së pari, ka paraqitur padi penale private dhe pasi që ligji është ndryshuar, ka kaluar në procedurë civile. Dosja e dytë që ka të bëjë me gjetjen e varrezave masive , në të cilat janë gjetur mbetjet mortore të njerëzve të identifikuar, të cilët janë vrarë në komunën e Gllogovcit dhe Skënderajt, pasi që Brigada e 37 e motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë, në muajin prill dhe maj, ka ndërmarrë ofanzivë të gjerë kundër Ushtrisë Çlirimtare trë Kosovës".

"Ato të dhëna të mbledhura, mjaft të dokumentuara dhe të ndërlidhura fuqishëm me operacionin dhe fatet individuale, nëntor të këtij vit është transformuar në një kallëzim penal mjaft të dokumentuar. Prokuroria për krime lufte, e cila në vitin 2012 është vënë në mbrojtje të gjeneralit Dikoviq, tashmë, në praninë e argumenteve aq të fuqishme, sikurse janë mbetjet mortore të fshehura në varrezë masive, është detyruar që të reagojë”, tha Kandiq.

Ky material u publikua fillimisht në radion Evropa e Lirë

XS
SM
MD
LG